Buteli thirret në ligj, Arsimi sheh hapësirë për zgjidhje: Pse po refuzohen nxënësit nga Çairi?

Flaka
Botuar nga Flaka 30 Gusht, 2026 17:27

Buteli thirret në ligj, Arsimi sheh hapësirë për zgjidhje: Pse po refuzohen nxënësit nga Çairi?

Përplasja për regjistrimin e nxënësve në SHFK “Penko” nxjerr në pah një dilemë: a duhet të jetë kufiri administrativ vendimtar, apo interesi dhe afërsia e fëmijëve me shkollën?

Debati për regjistrimin e nxënësve nga Çairi në shkollën fillore “Penko” në Butel po merr një dimension të ri, pasi qëndrimet e Komunës, drejtorisë së shkollës dhe Ministrisë së Arsimit nuk përputhen plotësisht.

Komuna e Butelit dhe drejtoresha e SHFK “Penko”, Mevlide Kryeziu, arsyetojnë mospranimin e nxënësve nga Çairi me Ligjin për Arsimin Fillor dhe rajonizimin e shkollave.

Megjithatë, kjo ngre pikëpyetje, pasi aktualisht në “Penko” ndjekin mësimin edhe nxënës që jetojnë në territorin e Komunës së Çairit. Për këtë arsye, mbetet e paqartë pse regjistrimi i nxënësve që gravitojnë pranë kësaj shkolle nuk mund të lejohet edhe këtë vit.

Drejtoresha Kryeziu thotë se vendimi është marrë edhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e paraleleve në shkollat e Çairit.

“Ky vendim është marrë edhe në interesin më të mirë të fëmijëve dhe me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë së paraleleve, duke pasur parasysh se në të kaluarën pranimi i nxënësve jashtë rajonit ka ndikuar në numrin e nxënësve dhe ka krijuar rrezik për zvogëlimin apo mbylljen e paraleleve në shkollat e Komunës së Çairit”, ka deklaruar Mevlide Kryeziu.

Nga ana tjetër, kryetari i Butelit, Darko Kostovski, këmbëngul se regjistrimi duhet të bëhet sipas rajonizimit të përcaktuar.

“Në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe rajonizimin e përcaktuar, regjistrimi i nxënësve bëhet sipas zonës së shkollës fillore”, deklaroi Kostovski.

Sipas tij, kërkesa që shkollat e Butelit të pranojnë fëmijë nga komunat e tjera do të nënkuptonte veprim në kundërshtim me rregullat ekzistuese.

Ministria: Ligji mundëson edhe zgjidhje tjetër

Një qëndrim më fleksibil vjen nga zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Ai sqaron se rajonizimi përcakton zonën e shkollës, por se ekzistojnë edhe mundësi për pranimin e nxënësve nga komunat e tjera, veçanërisht kur ata jetojnë në afërsi të shkollës dhe kur numri i nxënësve është i pamjaftueshëm për formimin e një paraleleje.

“Sidomos në rastet kur numri i nxënësve është më i vogël dhe në mënyrë të tillë i jepet mundësia që të formohet paralele duke marrë edhe nxënës që mund t’i takojnë një komune tjetër, mirëpo janë në afërsi të shkollës”, tha Sulejmani.

Ai beson se në rastin konkret mund të gjendet një zgjidhje.

“Mendoj që në këtë rast konkret do të gjendet një zgjidhje e caktuar dhe gjithsesi mendoj që paraleleja mund të shpëtohet dhe nuk duhet të mbyllet”, u shpreh zëvendësministri.

Sulejmani bëri të ditur se Ministria e Arsimit tashmë po e shqyrton rastin dhe do të kërkojë informacione nga shkolla, Komuna e Butelit dhe prindërit, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje në përputhje me ligjin dhe në interes të nxënësve.

Sipas tij, nëse paralelja ka rreth 18 nxënës, siç është pretenduar, nuk ka arsye që ajo të mbyllet dhe zgjidhja mund të kërkohet përmes një miratimi nga Ministria.

Pyetja që mbetet

Kështu, në qendër të debatit nuk është vetëm çështja e rajonizimit, por edhe interesi konkret i fëmijëve.

Nëse ligji lejon mundësi për përjashtime dhe nëse nxënësit jetojnë në afërsi të shkollës, atëherë pyetja është nëse kufiri administrativ mes Çairit dhe Butelit duhet të jetë arsyeja përfundimtare për refuzimin e tyre.

Në anën tjetër, mbetet për t’u sqaruar edhe nëse pranimi i nxënësve nga Çairi do të ndikonte realisht në numrin e paraleleve në shkollat e Çairit, siç pretendon drejtoresha e “Penko”.

Në fund, Ministria e Arsimit do të duhet të japë përgjigjen: a ekziston hapësirë ligjore që fëmijët të ndjekin shkollën më të afërt me vendbanimin e tyre, apo rajonizimi duhet të zbatohet në mënyrë strikte pavarësisht distancës dhe rrethanave konkrete?

27

SA JENI TË KËNAQUR ME PUNËN E QEVERISË VMRO-DPMNE–VLEN–ZNAM?

Flaka
Botuar nga Flaka 30 Gusht, 2026 17:27
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
27

SA JENI TË KËNAQUR ME PUNËN E QEVERISË VMRO-DPMNE–VLEN–ZNAM?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?