Tetova pa plan të ri urbanistik prej 13 vitesh, 60 blloqe urbane pa plane detale

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Shtator, 2026 22:20

Tetova pa plan të ri urbanistik prej 13 vitesh, 60 blloqe urbane pa plane detale

Tetovë – Tetova vazhdon të zhvillohet urbanistikisht mbi një plan të përgjithshëm që ka skaduar më shumë se një dekadë më parë. Plani i fundit i përgjithshëm urbanistik i qytetit është hartuar në vitin 2003 dhe ka qenë i vlefshëm deri në vitin 2013. Që atëherë, qyteti nuk ka pasur një plan të ri të përgjithshëm urbanistik, transmeton Gazeta Flaka

Ndërkohë, Tetova ka vazhduar të zgjerohet dhe të ndërtohet, duke krijuar nevojën për një dokument të ri planifikues që do të përcaktojë zhvillimin e ardhshëm të qytetit.

Nga Sektori për Urbanizëm në Komunën e Tetovës bëjnë të ditur se tashmë ka nisur procedura për hartimin e planit të ri të përgjithshëm urbanistik. Sipas të dhënave të komunës, territori urban i Tetovës përfshin 128 blloqe urbane, por vetëm 68 prej tyre kanë plane aktive, ndërsa 60 blloqe nuk kanë fare plane të detajuara urbanistike.

“Plani i përgjithshëm urbanistik i Tetovës ka qenë me afat deri në vitin 2013 dhe askush nuk ka marrë ndonjë iniciativë për përpilimin e planit të ri të përgjithshëm urbanistik. Këtë e bëri kryetari Bilall Kasami, i cili mori vendim për përpilimin e një plani të ri”, deklaroi Rilind Selmani nga Sektori për Urbanizëm i Komunës së Tetovës.

Nga 1.160 në 1.500 hektarë

Plani i ri pritet të ndryshojë edhe kufijtë e përfshirjes urbane të qytetit.

Sipas Komunës, plani ekzistues përfshin rreth 1.160 hektarë, ndërsa me planin e ri synohet që hapësira e planifikuar të zgjerohet në rreth 1.500 hektarë.

“Me të riun do të përfshihen deri në 1.500 hektarë sipërfaqe. Automatikisht destinimet të cilat janë, do të përshtaten edhe me ndërtimet të cilat janë të bëra në terren”, tha Selmani.

Sipas tij, procedura aktualisht ndodhet në fazën e përgatitjes së programit planor, ndërsa po sigurohen edhe kushtet e planifikimit nga Agjencia e Planifikimit.

Një pjesë e rëndësishme e procesit do të jetë harmonizimi i projekteve dhe kushteve urbanistike të miratuara ndër vite, në mënyrë që ato të përfshihen dhe të sinkronizohen me planin e ri.

Më shumë hapësirë për banim dhe infrastrukturë

Me zgjerimin e zonës së planifikuar, Komuna e Tetovës synon të krijojë mundësi për zhvillime të reja urbane.

Në planifikimin e ri parashikohet hapësirë për objekte të reja banimi, salla sportive, pishinë publike dhe rrugë të reja infrastrukturore.

Megjithatë, sfida kryesore mbetet integrimi i ndërtimeve ekzistuese me zhvillimin e ardhshëm të qytetit, veçanërisht në një territor ku dhjetëra blloqe urbane ende nuk kanë plane të detajuara.

212 leje ndërtimi vetëm gjatë vitit 2025

Ndërkohë, ndërtimi në Tetovë nuk është ndalur gjatë viteve kur qyteti ka funksionuar pa një plan të ri të përgjithshëm urbanistik.

Vetëm gjatë vitit 2025, Komuna e Tetovës ka lëshuar gjithsej 212 leje ndërtimi, ku përfshihen ndërtime të reja, mbindërtime dhe zgjerime të objekteve ekzistuese.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme hartimin e një dokumenti të ri urbanistik, i cili duhet të përcaktojë qartë se ku dhe si do të zhvillohet Tetova në vitet e ardhshme.

Pas më shumë se një dekade pa plan të ri të përgjithshëm, qyteti tani synon të kalojë nga planifikimi i trashëguar i vitit 2003 në një koncept urban që përfshin 1.500 hektarë dhe një rrjet të ri planesh për zhvillimin e Tetovës.

Burim: TV21

58

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Shtator, 2026 22:20
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
58

“A po realizohet programi zgjedhor në Komunën e Tetovës?”

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut