Shkup–Sofje, një hap drejt zgjidhjes: Von der Leyen paralajmëron takim javën e ardhshme
Në Shkup, vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, riktheu në qendër të vëmendjes çështjen e marrëdhënieve me Bullgarinë dhe zhbllokimin e procesit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, të dy zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, ku në fokus ishte pikërisht dialogu me Sofjen dhe hapi i radhës që duhet të ndërmerret për të çuar përpara procesin.
Mickoski njoftoi se, me këshillën e Von der Leyen, javën e ardhshme ministri i Jashtëm Timço Mucunski do të kërkojë një takim dypalësh me palën bullgare.“Mora këshilla nga presidentja që javën e ardhshme Ministri ynë i Punëve të Jashtme (Timcho Mucunski) do të jetë në Sofje dhe se duhet të kërkojmë menjëherë një takim në baza dypalëshe. I kërkova ministrit të dërgojë një notë diplomatike dhe të kërkojë një takim, në mënyrë që të mund të fillojmë ta çojmë procesin përpara nga diku”, tha Mickoski.
Von der Leyen konfirmoi se është rënë dakord për një përpjekje të re për të zhbllokuar procesin, duke theksuar se tashmë duhet të bëhet një hap konkret.
“Ne ramë dakord të bëjmë një hap të ri dhe të përpiqemi të zhbllokojmë procesin javën tjetër. Kur ta zhbllokojmë situatën, mund të jemi shumë të shpejtë me Maqedoninë e Veriut. Ajo që është bërë deri më tani me reformat është mbresëlënëse”, tha Von der Leyen.
Von der Leyen, nga Shkupi, përsëriti se vendi ka perspektivë evropiane dhe se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë pengesë për anëtarësimin në BE.
Pas këtij mesazhi nga Brukseli, vëmendja tashmë zhvendoset drejt Sofjes.
Javën e ardhshme pritet që ministri i Jashtëm Timço Mucunski të kërkojë takim me palën bullgare, ndërsa Shkupi synon që përmes dialogut dypalësh të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Bullgarinë.
Me vizitën në Shkup von der Leyen mbyll turin e saj ballkanik.












