Çairi nën lupën e Masterplanit urban: Mexhiti inspekton projektet në terren
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me urbanistin dhe arkitektin nga Turqia, Bajram Vardar, kanë inspektuar punimet infrastrukturore që po zhvillohen në kuadër të Masterplanit për zhvillimin urban të komunës.
Gjatë vizitës në terren, vëmendja është përqendruar te rrugët “Ferid Murati” dhe “Mithat Frashëri”, si dhe te zgjerimi i bulevardit “Cvetan Dimov”, ndërhyrje që synojnë të ndikojnë në organizimin e trafikut dhe në funksionalitetin e hapësirave publike.
Sipas Komunës së Çairit, Masterplani është hartuar nga një ekip ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, nën udhëheqjen e Bajram Vardarit. Dokumenti synon të përcaktojë drejtimet e zhvillimit urban të komunës në një perspektivë afatgjatë.
Përveç modernizimit të infrastrukturës rrugore, plani parasheh përmirësimin e funksionalitetit të zonave urbane dhe ruajtjen e identitetit historik e kulturor të Çairit.
Megjithatë, ndikimi i këtyre projekteve do të matet përmes rezultateve konkrete në terren: sa do të lehtësohet qarkullimi, si do të përmirësohet cilësia e hapësirave publike dhe në çfarë mase ndërhyrjet do t’ua lehtësojnë përditshmërinë banorëve.
Zbatimi i Masterplanit mbetet kështu një proces që kërkon jo vetëm projekte dhe vizion urban, por edhe realizim sipas afateve dhe rezultate të prekshme për qytetarët.













