Ekspozitë kushtuar 180-vjetorit të lindjes së poetit arbëresh, Zef Serembe

Flaka
Botuar nga Flaka 29 Maj, 2024 20:24

Ekspozitë kushtuar 180-vjetorit të lindjes së poetit arbëresh, Zef Serembe

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë në nder të 180-vjetorit të lindjes së arbëreshit Zef Serembe (1844-1901).

Ekspozita sjell në vëmendje të lexuesit gjithë krijimtarinë e poetit lirik që ndodhet në koleksionet e BKSH-së.

Zef Serembe lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë. Në vjershat atdhetare grishi në luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora d’Istrias”). Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar dhe të zhgënjyer nga jeta.

Në poezinë e tij të përshkuar nga një ndjenjë malli, gërshetohen optimizmi e stoicizmi me nota të trishtuara mistike e pesimiste.

Poezia e tij është shprehje e kontradiktave dhe e zhgënjimit tragjik që përjetonin intelektualët arbëreshë. Poeti kërkon strehë e ngushëllim te feja, po edhe ajo nuk e qetëson. Nota e re kushtruese që dallon lirikën atdhetare dhe një pjesë të lirikës shoqërore të Serembes gjeti shprehje kryesisht përmes stilit patetiko-oratorik; motivet e zhgënjimit, të vetmisë, konflikti me shoqërinë, gjetën shprehje kryesisht përmes stilit liriko-introspektiv. Ky i fundit harmonizohet me veçoritë e individualitetit krijues të Serembes, të spontanitetit gati naiv, që e bën poezinë e tij të freskët e komunikuese.

Poezia e S. është një poezi ngjyrash e dritash të forta. Figurat e tij më të dashura janë antitezat, metafora e simbolet. Zef Serembe. vijoi traditën e ndikimit nga poezia popullore.

Shumë prej krijimeve të Serembes (poezi, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit), që ai shpesh i rishikonte e i ndryshonte, humbën gjatë jetës së tij endacake. Sa qe gjalle ai botoi vetëm: “Poesie italiane e canti originali tradotti dall`àlbanese” (Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja – Kozencë, 1883)/ Solli në italisht dhe shqip; “Il reduce soldato, ballata lirica” (Kthimi i ushtarit, baladë lirike), vargje vetëm në italisht; “Sonetti vari”, një përmbledhje prej 42 sonetesh me një parathënie, me një shkrim të imtë të ndrydhur në vetëm 4 faqe.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së. /atsh

Flaka
Botuar nga Flaka 29 Maj, 2024 20:24
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.