Faktori kryesor që bashkon Shqipërinë, Kosovën dhe Shkupin
Nga Spartak Ngjela
Dhe gjuha shqipe sigurisht që po na mban të lidhur me shqiptarinë. Askush nuk duhet të humbasë mundësinë për t’u njohur me bëmat e diktaturës që kaloi në Shqipëri.
Por të sotmen duhet ta vlerësojë maksimalisht, se ne shqiptarët sot kemi dy shtete shqiptare dhe shqiptaria do të vijojë të bëjë vazhdimisht përpara, drejt një bashkimi federativ gjithëshqiptar.
I.
Historia është histori dhe dhimbjet njerëzore të saj janë pjesë e udhës se historisë. Por dhimbja shoqërore sjell gjithmonë ngritjen e intelektit, se mban me vete rrezikun.
Duke jetuar në shekuj e shekuj nën rrezik të asimilimit si popull, ne shqiptarëve na ka mbrojtur vetëm gjuha shqipe dhe historia heroike e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Dhe ja ku jemi bashkë sot dy shtete shqiptarë me 5 milionë shqiptarë (Shqipëri – Kosovë); që kanë ngritur një arsim modern të mesëm e të lartë, por me gjuhën shqipe ama.
Poetë, shkrimtarë, peshkopë të mëdhenj, intelektualë dhe patriotë të mëdhenj që sakrifikuan jetën e tyre për shqiptarinë, për dijen e lartë dhe kultivimin e gjuhës shqipe: duhet të jenë krenaria e kombit shqiptar.
Koha historike që kemi kaluar nën sundimet e ndryshme, vërtet na ka vrarë, na ka imponuar pushtimin, por, të huajt ardhacakë, asgjë nuk na kanë bërë, përderisa ata nuk na eliminuan dot gjuhën tonë.
“Gjuha – thotë Enciklopedia Britanike – bashkë me reflektimet dhe afektet e saja, krijon një kulturë të veçantë të të menduarit”.
Ja, kjo është mënyra e veçantë e të menduarit të përparuar, që u ka dhënë shqiptarëve gjuha shqipe.
E keni parë që ne shqiptarët, në funksion të gjuhës shqipe, afrohemi me njëri-tjetrin menjëherë, sapo i themi shqip një të panjohuri: Si je? Ose: Si po kalon?
Sepse pikërisht në këtë rast gjithçka ndryshon dhe ne dukemi menjëherë si të afërt me njëri-tjetrin. Dhe kjo vjen sepse gjuha shqipe është unike në botë.
A e keni vënë re që asnjë i huaj nuk është në gjendje ta flasë gjuhën shqipe me theksin e saj: Verior ose Jugor? Sepse shqiptimi i gjuhës shqipe, në të dy dialektet, është veti specifike vetëm e shqiptarisë.
II.
Rilindasit tanë të mëdhenj, por edhe intelektualët e mëdhenj të Shekullit të XX, e kanë ditur në njohje të thellë shkencore madhështinë e gjuhës shqipe.
Dhe ja ku jemi gjallë sot, dhe me dy shtete shqiptare e me një strukturë moderne të arsimit shqiptar.
Dhe gjuha shqipe sigurisht që po na mban të lidhur me shqiptarinë.
Bashkë me Maqedoninë e Veriut, në fakt, janë tre shtete shqiptare sot, por gjuha na ka krijuar atë që nuk e ka kush tjetër: na ka dhënë aftësinë për ta ndier veten sikur jemi një fis i madh gjaku me 6 milionë shqiptarë, sado që jemi dy shtete dhe të shpërndarë kudo në Evropë dhe në Botë, por ama, të paasimiliar. Prandaj po pritet edhe ndarja e një milionë shqiptarëve nga sllavët në Maqedoninë e Veriut.
Dhe gjithçka qëndron në këtë lidhje, me vlerën e madhe që ka gjuha shqipe.
Askush nga shqiptarët e mëdhenj nuk ka arsyetuar dot pse është kaq e fortë gjuha shqipe: prandaj, ishin ata që thanë me bindje: Shqipja është gjuha e perëndisë.
Dhe gjuha shqipe do të na formojë tani e mbrapa si një komb shqiptar, që sigurisht që po e bën bashkimin etnik me anë të historisë të shqiptarisë, që sot është e përbashkët në letërsinë shqipe të shpërndarë kudo, por edhe në radion e televizionin shqiptar që po na krijon zhvillimin e përbashkët të gjuhës shqipe, të letërsisë shqipe dhe të historisë sonë.
Sepse është një histori kjo që vjen me shkëlqimin e saj historik, që nga Aleksandri i Madh, te Gjergj Kastriot Skënderbeu, e, nga Skënderbeu tek Ismail Qemali; por pastaj: nga Ismail Qemali te të dy shtete shqiptare në Gadishullin Ilirik, me dy kryeqytete – Tiranën dhe Prishtinën.
Dhe historia e shqiptarisë tani po vijon të ecë me sukses të pandërprerë drejt vetvetes, si një etni kjo, e plotë dhe vetëm shqiptare.
Top Channel