Ana jonë e zezë që mediat perëndimore e shohin kur u duhet

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Prill, 2024 20:25

Ana jonë e zezë që mediat perëndimore e shohin kur u duhet

Në mes të vorbullës me shkrime dhe kronika limonatë për mrekullitë e turizmit shqiptar, investigimi i “Report”, në “Rai 3”, pati efektin e një rrufeje në qiell të pastër. Në të bëhej si rrallëherë autopsia e një shteti të ekzekutuar nga mafia.

Le të jemi të drejtë deri në fund. Emisioni qe i angazhuar dhe me pikësynim të caktuar. Ai ishte fryt i mërisë që e majta italiane ka ndaj një post fashisteje si Giorgia Meloni. Ai qe i yshtur nga atmosfera antiraciste dhe pro emigrantëve që ndeshet me ksenofobinë në vendin e saj. Si i tillë, ai nuk duhet parë i pandikuar nga qëndrimet e partisë simotër të PS-së në Itali, njëri prej deputetëve të së cilës shkoi deri aty sa të propozonte përjashtimin e forcës politike që drejton Edi Rama, nga familja e socialistëve evropianë.

Dokumentari i adresohej publikut të vendit fqinj dhe mesazhi i tij qe i qartë: e shikoni se ç’qeveri të korruptuar dhe të kriminalizuar ka zgjedhur Meloni për ta detyruar të shkelë të drejtat e emigrantëve që nisen nga Afrika për të zbarkuar në brigjet tona.

Dhe për të sendërzuar këtë mesazh faktet nuk mungonin. Sundimi 11-vjeçar i Edi Ramës ka prodhur ngjarje me bollëk për cilindo që do të bëjë një pasqyrë reale të këtij vendi. Dhe gazetarët italianë nuk harruan të na kujtojnë një ministër të brendshëm si Saimir Tahiri, që ndihmonte trafikantët të eksportonin drogën drejt brigjeve të tyre. Ata u kujdesën të shkojnë deri në Zvicër për të intervistuar, nga vendi ku strehohet politikisht Zagani, ish-polici që u burgos se zbuloi lidhjet kriminale të ministrit të vet. Ata zhvarrosën nga pensioni ish-gjeneralin që drejtonte Guardia di Financa, trupën që certifikonte një Shqipëri të pastruar nga kanabisi. Dhe pse e bënin këtë? Sepse gjeneralit italian i bëheshin dhurata të majme nga trafikantët e narkotikëve. Dhe kush i shërbente si ndërmjetës? Njeriu që qëndron në paradhomën e Edi Ramës, Engjëll Agaçi.

Por, kjo panoramë e përfituar nga ky paraardhës i hershëm i McGonigalit do të ishte e paplotë, nëse prokurori i Antimafias në Napoli, Nikola Gratieri, nuk do të deklaronte se fuqia e mafies shqiptare buron nga streha që ka në një shtet të korruptuar, apo nëse ish-prokurori Francesco Mandoi, nuk do të rrëfente se si u tall me të kryeministri Rama, që e mori gjoja këshilltar, por nuk e pyeti asnjëherë.

Pazëlli i një shteti fund e krye kriminal, plotësohet edhe nga dështimi i një drejtësie, që i ka dhënë mundësinë qeverisë të mbyllte media që nuk i pëlqenin, si “Agon Ghannel”, apo që kur i del emri i të afërmve të kryeministrit në trafiqe i fshin nga dosjet. Sipas “Report” këto e kanë një shpjegim: sepse përzgjedhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve është bërë sipas një Vettingu të politizuar.

Rrallëherë, shumë rrallë, përjashto përgjimet e “Bild” për vjedhjen e votave, artikujt e “New York Times” apo “Washington Post” për korruptimin e shefit të FBI-së McGonigal, apo ato se si regjimi i Tiranës po blen mbështetjen ndërkombëtare, ka ndodhur që ndonjë investigim mediatik të ketë pasqyruar një realitet kaq rrëqethës të pushtetit të Ramës. Emisioni i “RAI 3” e bëri, duke i hyrë në thellësi së keqes sonë dhe duke e nxjerrë atë në dritën e diellit.

Fatkeqësisht nuk e bëri për ne. E bëri për luftën e brendshme politike italiane, për t’i treguar publikut përtejt Adriatikut se me kë po bashkëpunon Giorgia Meloni. Nëse Edi Rama nuk do të kishte nënshkruar memorandumin për hapjen e kampeve të refugjatëve në Shëngjin e Gjadër, ndoshta këtë impenjim të gazetarit Sigfrido Ranucci, ne nuk kishim për ta parë kurrë. Ashtu sikurse ndoshta nuk do të lexonim dot në “New York Times”, manovrat lobiste për të joshur dhëndrin e Trump, Jared Kushner, nëse kryeministri ynë nuk do të qe ngatëruar në lojëra politike më të mëdha sesa statura e tij.

Pra të mos kemi asnjë iluzion, kur gazetarët perëndimorë interesohen për ne, këtë nuk e bëjnë se u digjet shpirti për demokracinë tonë, as nga aspirata për një Shqipëri më të mirë. Ngacmimi u vjen pasi e shohin se regjimi i satrapit të Tiranës po përzihet edhe në politikën e tyre të brendshme.

Por sado cinik dhe i pashpresë të duket ky konstatim, ai ka dhe anën e vet pozitive. Pasi ai, së pari, na tregon se sa të lehtë e ka secili i huaj të zbulojë të vërtetat në një vend ku ato janë sheshit. Së dyti, sepse vendos në dritën e projektorëve palaçollëqet e lobuara të Shqipërisë turistike, që propagandohet çdo mbrëmje nga TV-të tona.

Kjo qe çudia e investigimit të “Report”, i cili na tha në italisht gjëra që këtu i dinim prej kohësh.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Prill, 2024 20:25