Mislimi: Mbrapa këmishave të bardha të VLEN-it fshihen tensione të thella mes liderëve

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Qershor, 2025 12:16

Mislimi: Mbrapa këmishave të bardha të VLEN-it fshihen tensione të thella mes liderëve

Gazetari Rami Mislimi ka hedhur dritë mbi një situatë të tensionuar brenda koalicionit opozitar shqiptar VLEN, pas paraqitjes së liderëve të këtij blloku në hapjen e shtabit zgjedhor të përgjithshëm për zgjedhjet lokale. Sipas tij, pamja e tyre e unifikuar me këmisha të bardha ka pasur synimin e qartë për të projektuar një imazh fituesi para opinionit publik, por në thelb fsheh ndasi të theksuara brenda këtij fronti politik, transmeton Flaka

“Liderët e koalicionit VLEN mbrëmë u shfaqën me këmisha të bardha në hapjen e shtabit të përgjithshëm për zgjedhjet lokale, me qëllim që të paraqiteshin si fitues para opinionit publik. Por pas kësaj paraqitjeje simbolike, fshihen tensione të forta brenda subjektit,” shkruan gazetari Mislimi.

Në këtë ngjarje me peshë politike munguan dy figura të rëndësishme: Afrim Gashi, kryetar i Lëvizjes Alternativa dhe Fatmir Limani, një nga emrat që kanë pasur ambicie për kandidaturë në Kërçovë.

Sipas burimeve të portalit TS, marrëdhëniet mes Afrim Gashit dhe Zeqirja Ibrahimit janë përkeqësuar ndjeshëm javëve të fundit. Shkak për këtë krizë të brendshme besohet të jetë një marrëveshje e bërë në fshehtësi nga Ibrahimi, i cili – pa dijeninë e Gashit – ka pranuar t’i japë postin e kryetarit të Kuvendit ish-kreut të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, me qëllim që ky i fundit të përfshihej në qeveri pas largimit të Arben Taravarit.

“Mësohet se Ibrahimi, pa dijeninë e Gashit, kishte pranuar të ‘shiste’ postin e kryetarit të Kuvendit për Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës,” thuhet në raportimin e TS.

Ky akt është konsideruar si “tradhti” nga Gashi, i cili – sipas të njëjtave burime – ka kërcënuar me largim nga VLEN, së bashku me tre deputetët e tij, nëse Selës i jepet ky post.

Në një lëvizje simbolike që po interpretohet si sinjal presioni, Gashi publikoi një foto me ambasadorin shqiptar Donian Meidani, duke lënë të kuptohet se mund të ripozicionohet politikisht nëse kërkesat e tij nuk respektohen.

Ndërkohë, mungesa e Fatmir Limanit nuk kaloi pa u vënë re. Burime pranë tij bëjnë me dije se ai është i zhgënjyer me Bilall Kasamin, i cili thuhet se e ka anashkaluar për kandidaturën në Komunën e Kërçovës, një vend ku Limani gëzon mbështetje lokale.

Përtej përplasjeve personale dhe strategjike, tensionet brenda VLEN-it janë të pranishme edhe në çështjen e ndarjes së komunave për zgjedhjet e ardhshme. Sipas informacioneve, përçarjet janë më të theksuara në Çair dhe Tearcë, ku emrat e përmendur si kandidatë nuk gëzojnë mbështetje të gjerë në terren, ndryshe nga disa figura të anashkaluara.

Në të kundërt, në kampin tjetër politik, BDI ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me të dyja Aleancat për Shqiptarët (grupin e Taravarit dhe atë të Selës). Ato pritet të garojnë me kandidat të përbashkët dhe lista të përbashkëta në zgjedhjet lokale të tetorit, duke shfaqur një unitet më të konsoliduar se VLEN.

Flaka
Botuar nga Flaka 21 Qershor, 2025 12:16
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.