Snopçe nga Gostivari: VLEN pa vizion – në tetor do ta shohin rezultatin
Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe, kritikon ashpër ish-partnerët nga VLEN për mungesë vizioni dhe mosmirënjohje, duke paralajmëruar se në zgjedhjet lokale do të mbeten pa kryetarë komunash, raporton Flaka
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, nga tubimi i mbajtur në Gostivar, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj koalicionit VLEN, duke i cilësuar si mosmirënjohës dhe pa drejtim politik. Ai tha se falë Arben Taravarit ata sot janë në pushtet, por se tani e godasin Aleancën me sulme të pamatura.
“Kohëve të fundit kemi pasur shumë sulme nga ish-partnerët tanë nga VLEN. Janë mosmirënjohës, sepse falë Arben Taravarit janë aty ku janë sot,” theksoi Snopçe.
Deputeti akuzoi drejtuesit e VLEN për mungesë vizioni dhe koordinimi:
“Secili vepron sipas mendësisë së vet, pa vizion të përbashkët politik. Paramendoni të flasësh me ta për çështje kombëtare… Janë në huti totale, pa dashur t’i ofendoj.”
Snopçe vazhdoi me një kritikë konkrete ndaj qasjes së koalicionit në qeveri:
“Veprimtaria e tyre është si shumëzimi i një konacioni matematikor me zero. Ja për shembull: kanë bërë 20-30 punësime te maqedonasit dhe zero te shqiptarët.”
Duke u ndalur te pritshmëritë e dështuara të koalicionit VLEN, Snopçe tha se nga ëndrra e para një viti kanë mbetur vetëm zhgënjimet.
“Para një viti flisnim për largimin e 20%-shit, për ndryshime kushtetuese… sot as nuk guxojnë t’i përmendin. Tash varen nga vota e VMRO-së dhe në tetor do t’i shumëzojnë ato vota me zero.”
Ai i bëri thirrje ish-bashkëpartiakëve që të provojnë përballjen me popullin:
“Kandidoni për kryetar komunash e ta shihni sa e keni rezultatin,” u shpreh me sfidë Snopçe.
Deputeti i ASH-së vuri theksin edhe te rëndësia e ndërgjegjes në politikë, duke kritikuar ata që, sipas tij, kanë dije por jo ndershmëri:
“Të rrezikshëm janë ata njerëz që kanë dije, por nuk kanë ndërgjegje. Madhështore është që nga lëndimet të dalim më të fuqishëm.”
Në fund, Snopçe shprehu mirënjohje për ata që i qëndruan besnikë ASH-së:
“T’u japim respekt atyre që na qëndruan afër, jo atyre që në ditë të vështira as nuk na përshëndesin.” Flaka














