Gostivar: Nënë e dhunshme keqtrajton djalin katërvjeçar – ndërhyn policia
Një rast shqetësues i dhunës në familje ndaj një fëmije të mitur është raportuar më 4 korrik 2025 në Gostivar, ku një grua dyshohet se ka keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht djalin e saj katërvjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme, rasti është denoncuar nga një qytetar, F.S., në orën 12:05, i cili ka raportuar se në rrugën “Ilindeni”, në një apartament banimi, një grua po e keqtrajtonte fëmijën e saj.
Menjëherë pas raportimit, policia ka vepruar në koordinim me përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale – Gostivar. Në vendin e ngjarjes është gjetur M.S., e cila ishte duke bërtitur me zë të lartë dhe duke ushtruar dhunë ndaj djalit të saj të mitur.
“Pas konsultimit me Prokurorin Publik, e dyshuara u transportua me automjet të Ndihmës së Shpejtë në Qendrën Mjekësore në Gostivar për trajtim mjekësor,” njoftojnë nga MPB.
Ndërkohë, fëmija i mitur u dërgua në Qendrën e Urgjencës në Gostivar, i shoqëruar nga përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale, ku mjekët konstatuan lëndime trupore.
Autoritetet janë duke ndërmarrë të gjitha masat për dokumentimin e plotë të rastit dhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale. Flaka
















