Pollog: Dhunë, narkotikë, ari që vret dhe një vajzë e mitur e zhdukur – ngjarjet më të fundit nga SPB Tetovë
Rajoni i Pollogut ka qenë sërish skenë e disa ngjarjeve kriminale dhe incidenteve të ndryshme që përfshijnë dhunë në familje, posedim narkotikësh, sulme fizike dhe madje edhe një ngjarje të rrallë me një ari që ka shkaktuar dëme në bagëti.
Arrestime për drogë dhe sjellje të dhunshme
Në rrugën “Lubotenit” në Tetovë, policia arrestoi M.A. (25) nga fshati Senakos i Gostivarit, pasi iu gjet marihuanë gjatë kontrollit. Ai është ndaluar për procedura të mëtejshme.
Në një tjetër rast në kryqëzimin e rrugëve “Bllagoja Toska” dhe “Kiro Ristoski Drnc”, u arrestua Sh.R. (24) nga Tetova, i cili kërcënoi dhe u soll agresivisht ndaj policisë gjatë kontrollit në rrugën “Todor Cipovski Merxhan”.
Dhunë në familje dhe sulme fizike
Në Spitalin Klinik të Tetovës, u arrestua shtetasi italian D.B.F.R. (53), i raportuar për dhunë fizike ndaj gruas së tij 50-vjeçare në Tetovë.
Në Gostivar, Sh.J. (47) raportoi se u sulmua fizikisht nga E.Xh. nga Kërçova, në oborrin e shtëpisë së saj.
Ari vret një dem në Leshnicë të Epërme
H.Xh. (29) nga fshati Vejcë i Tetovës raportoi në SPB Tetovë se një ditë më parë, në tërllën e tij në Leshnicë të Epërme, një ari kishte vrarë një dem. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në komunitetin lokal.
Zhdukja dhe gjetja e një të miture
Njësiti policor nga Gallatë gjeti 15-vjeçaren A.L. nga fshati Çajle, e cila ishte raportuar e zhdukur nga babai i saj më 08.07.2025. Vajza iu kthye familjes.
Aksion kontrolli rrugor në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit
Gjatë ditës së djeshme, SPB Tetovë realizoi një aksion për kontrollin e automjeteve dhe shoferëve.
Janë sanksionuar 33 shoferë për parkim të paligjshëm (TE – 27 dhe GV – 6), prej të cilëve 17 automjete janë larguar me merimangë.
Gjithsej janë regjistruar 66 kundërvajtje të tjera në trafik (TE – 48 dhe GV – 18).
Policia njofton se për të gjitha rastet janë duke u ndërmarrë masa për zbardhjen dhe procedimin e mëtejshëm ligjor. Flaka
















