Aksion policor – Shtatë shtetase të Shqipërisë hasen në klube nate në Tetovë e Gostivar
Gjatë një aksioni të zhvilluar nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë dhe OVR Gostivar, janë kontrolluar disa lokale nate në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, me qëllim evidentimin e shtetasve të huaj që qëndrojnë ilegalisht apo keqpërdorin vizat turistike.
Sipas informacioneve zyrtare, aksioni është zhvilluar gjatë natës mes datës 9 dhe 10 korrik, nga ora 22:00 deri në ora 02:00, në bazë të një plani paraprak të hartuar nga policia.
Gjatë kontrollit në një lokal nate në fshatin Zhelinë, në pronësi të J.F. (47) nga i njëjti fshat, janë gjetur pesë shtetase të Republikës së Shqipërisë, të moshës nga 24 deri në 50 vjeç.
Ndërkohë, në një tjetër lokal nate në fshatin Zubovcë, komuna e Gostivarit, në pronësi të R.B. (50) nga fshati Dobridoll, janë kapur dy shtetase shqiptare, të moshës 33 dhe 36 vjeç.
Të shtatë shtetaset e huaja dyshohet se kanë keqpërdorur qëndrimin turistik dhe kanë qëndruar në kundërshtim me qëllimin e deklaruar për hyrje në vend. Ato janë ndaluar në Stacionet Policore në Tetovë dhe Gostivar për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia njofton se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha zonat ku dyshohet për veprimtari të paligjshme me përfshirje të shtetasve të huaj.
















