ASH pëmend 225 milion euro para të pista: Mexhiti hesht, bixhozi fiton
Grupimi politik VLEN dhe drejtuesi i tij, Izet Mexhiti, janë thellësisht të përfshirë në afera ndërtimore dhe marrëveshje të errëta me industrinë e bixhozit, me përfitime të paligjshme që kapin shifrën mbi 225 milionë euro vetëm nga ndërtimet e egra në Komunën e Çairit dhe kontratat e pista me oligarkët e bixhozit.
Në vend që të reagojnë ndaj manovrave për shtyrjen e ligjit për lojërat e fatit, VLEN dhe Mexhiti kanë zgjedhur heshtjen. Dhe kjo heshtje, sipas Aleancës për Shqiptarët, është prova më e qartë e një pazari të heshtur, ku interesat personale dhe aleancat me lobe financiare mbizotërojnë mbi premtimet publike.
“Të katandisur pas përfitimeve materiale, grupimi VLEN është zhytur në gjumë të thellë dhe FLEN kur flitet për mbrojtjen e qytetarëve,” – thuhet në reagimin zyrtar të Aleancës për Shqiptarët.
Sipas kësaj partie, kërkesa e Asociacionit të Organizatorëve të Lojërave të Fatit (APIS) për të shtyrë miratimin e ligjit për pas zgjedhjeve lokale nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për t’i shpëtuar përgjegjësisë publike dhe për të blerë kohë për negociata të mbyllura.
“Ky është sinjali më i qartë se në prapaskenë ekziston një pakt i heshtur mes Qeverisë dhe industrisë së bixhozit për të zbutur ose për të ndryshuar thelbin e ligjit pas zgjedhjeve,” – vlerëson Aleanca.
Kjo parti kërkon publikimin e menjëhershëm të draft-ligjit, përfshirje të ekspertëve dhe qytetarëve në debat, si dhe miratimin urgjent të ligjit që garanton mbylljen e pakushtëzuar dhe të pakthyeshme të të gjitha pikave të bixhozit në vend.
“Nuk mbështesim asnjë version të ligjit që tenton të rilyejë industrinë e bixhozit me terma teknikë apo fjalor evropian. Çdo vonesë është mashtrim. Çdo shtyrje është alibi. Koha për veprim është tani.” – përfundon deklarata e Aleancës për Shqiptarët. Flaka














