Fytyra e përlyer e ‘Maqedonisë së pastër’
Michael është një anglez tipik dhe, po të mos ishte historia si përcaktim i jetës së tij, ndoshta nuk do të bëhej pjesë e këtij shkrimi. Kur mori vesh se jam nga Maqedonia e Veriut dhe se jam shqiptar, pyetja e tij e parë ishte: “Si i keni punët me sllavët?” Me anglishten time të dobët, iu përgjigja me kundërpyetje: “E keni fjalën për maqedonasit?” Ai më buzëqeshi dhe tha: “Po, por mendoj se bëhet fjalë për një përzierje bullgarësh, serbësh dhe, siç pretendoni ju, maqedonasish.” Pastaj i kujtova se në kohën e Jugosllavisë së Titos, na mësonin që bullgarët dhe serbët ishin pushtuesit tanë. “Nga të cilët, më së shumti keni vuajtur ju shqiptarët,” theksoi me ironi historiani në pension.
Shkruan: Seladin Xhezairi
Nuk është se nuk e prisja sjelljen raciste të tifozëve në Kumanovë kundër shqiptarëve, por më befasoi heshtja e plotë e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski. Edhe pas përfundimit të ndeshjes, ai mbeti i heshtur. Për më tepër, ja çfarë shkroi vetë, me vullnet të lirë, të shtunën në profilin e tij në Facebook:
“Në sallën e rinovuar sportive në Kumanovë, nën dritat e një fillimi të ri, Maqedonia pa luftë, zemër dhe lojë të ndershme!
Maqedonia është me ju jo vetëm kur fitoni, por edhe kur bini me kokën lart! Kjo ndeshje ishte më shumë se një rezultat, ishte luftë për ngjyrat që i bartni, për emrin që e mbroni, dhe për popullin që qëndron pas jush me dashuri dhe respekt!
Çdo pikë djerse në fushë është tashmë fitore – fitore e këmbënguljes, e luftës, e dashurisë për këtë vend. Matet me sakrificë, me guxim, me faktin që nuk u dorëzuat!
Ne e dimë çfarë do të thotë të japësh gjithçka, edhe kur është e vështirë. Sonte nuk fituam në rezultat, por fituam në shpirt, sepse treguat për kë dhe si luhet!
Luani me guxim edhe më tej, ne jemi me ju! Maqedonia është këtu dhe do të jetë me ju, gjithmonë!”
Por H.M., të jemi të qartë, nuk është individ i thjeshtë – ai është Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, ose më saktë, i Maqedonisë së Veriut.
Kjo do të thotë që H.M. është edhe kryeministri im, kryeministër i të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ata që nuk janë maqedonas.
Të heshtet përballë thirrjeve me përmbajtje anti-shqiptare dhe fashistoide gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, në një sallë sportive në Kumanovën multietnike, është skandal që në vende me demokraci të zhvilluar çon në dorëheqje!
Ky qasje e ftohtë dhe injorante e kryeministrit maqedonas, në prag të zgjedhjeve lokale, është një lojë me zjarrin. Ai nuk po merr parasysh se një qëndrim kaq i ngurtë ndaj gjithçkaje shqiptare në vend mund t’i kthehet në bumerang: të mbyllësh sytë ndaj thirrjeve si “vdekje për shqiptarët” dhe për “Maqedoni të pastër” është një ndyrësi nga e cila nuk përfiton askush. As kryeministri maqedonas, as partia e tij VMRO-DPMNE, as ZNAM-i i Maksim Dimitrievskit, dhe, të themi të drejtën, as grupimi VLEN i mbështetur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.














