Gostivari dhe tradita e kafes mes kandidatëve – rrënjët në vitin 2017
Takimet joformale mes kandidatëve për kryetar komune në Gostivar tashmë kanë një histori. Iniciativa e fundit e Visar Ademit për të ftuar rivalët e tij – Valbon Limanin dhe Sebadin Dautin – për një kafe të përbashkët, ka një vazhdimësi që daton nga zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Atëherë, me iniciativë të gazetarëve të Gostivarit, u realizua një takim i ngjashëm mes kandidatëve të asaj kohe: Nevzat Bejta, Sabajdin Izeiri, Arben Taravari, Asaf Ademi dhe Dafina Stojanovska (VMRO-DPMNE). Takimi u zhvillua në njërën nga ëmbëltoret e qytetit, një muaj para ditës së zgjedhjeve lokale të 15 tetorit 2017.
Flaka shpalos sot fotografitë nga ai moment, që për shumëkënd mbeten simbol i komunikimit civil mes rivalëve politikë në prag zgjedhjesh.


Edhe në vitin 2020, Valbon Limani në cilësinë e shefit të Shtabit Zgjedhor të Aleanca për Shqiptarët në Gostivar, pati realizuar një një kafe-bisedë me shefat e shtabeve lokale: Nexhati Jakupi (BDI), Loran Strasevski (VMRO-DPMNE), Daci Filiposki (LSDM), Abdylshyqyr Abedini (Alternativa), Xhevair Miftari (Besa), Furkan Çako (TMBH) dhe Ilker Yusuf (TDP).
Për dallim nga viti 2017dhe 2021 kur takimet u realizuan, tentativa e Visar Ademit këtë herë nuk arriti të finalizohet. Nga Shtabi Zgjedhor i Valbon Limanit i thanë FLAKA-s se takimi mund të realizohet pasi të përfundojnë të gjitha procedurat për zyrtarizimin e kandidaturave.
“Ka zëra që sugjerojnë se disa kandidatë të tjerë mund të kenë shprehur interesin për të kandiduar. Do të ishte e padrejtë të privohen nga e drejta e një takimi edhe kandidatët e tjerë të mundshëm, përfshirë edhe ata të pavarur”, u shprehën nga shtabi i Limanit.
Nga ana tjetër, kandidati Sebadin Dauti deklaroi se nuk i shmanget asnjë forme debati dhe se është i hapur për një kafe joformale me rivalët, “por në ditët në vijim”.
A do të përsëritet fotografia e vitit 2017 edhe këtë vit mbetet për t’u parë – por historia tregon se Gostivari i ka pasur momente të tilla të rralla të rivalitetit civilizues. Flaka Media
















