Vdes shqiptari në Genova pas përdorimit të elektroshokut – dy karabinierë nën hetim
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në Sant’Olcese, Genova, ku 42-vjeçari shqiptar Elton Bami ka humbur jetën pas ndërhyrjes së forcave të rendit italiane.
Sipas mediave italiane, fqinjët kishin raportuar sjellje agresive të tij, duke bërë që fillimisht në vendngjarje të mbërrinin ekipet e ndihmës së shpejtë “Croce Oro di Manesseno”. Për shkak të vështirësive në menaxhimin e situatës, ata kërkuan ndihmën e karabinierëve.
Dy patrulla mbërritën pak minuta më pas dhe tentuan ta qetësonin, duke i kërkuar dokumentet e identifikimit. Ai dyshohet se i ftoi të hynin në banesë, por gjatë zbritjes së shkallëve shfaqi sjellje të dhunshme. Në atë moment, oficerët përdorën pistoletën elektroshok tre herë për ta neutralizuar.
Ndërhyrja rezultoi fatale – mjeku ligjor Isabella Caristo konstatoi shenja të shumta goditjesh elektrike në trupin e viktimës. Shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet nga autopsia në ditët në vijim.
Prokuroria e Genovas, nën drejtimin e prokurores Paola Calleri, ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia, ndërsa dy karabinierët që përdorën elektroshokun po konsiderohen si të dyshuar.
Ngjarja ndodhi vetëm pak orë pas një rasti të ngjashëm në Olbia, ku një 57-vjeçar italian humbi jetën gjithashtu pas përdorimit të elektroshokut nga forcat e rendit.
Flaka
















