Durrës: Turisti rumun pretendon se u godit me shkopinj dhe thikë
Një ngjarje e rëndë është raportuar në Durrës, ku turisti rumun Alexandru Cristian Dirnstorfer, 36 vjeç, ka deklaruar se është dhunuar nga disa persona të panjohur gjatë pushimeve të tij në zonën e plazhit, rreth dy javë më parë.
Sipas dëshmisë së tij për mediat, kallëzimi nuk është marrë seriozisht nga policia shqiptare. Aktualisht, dy të mitur 17-vjeçarë po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “dëmtime të tjera me dashje”, ndërsa është shpallur në kërkim një 36-vjeçar i identifikuar si Neritan Seferkolli.
Burime policore bëjnë me dije se turisti ndodhej në një lokal në gjendje të dehur, kur ka marrë një motor të parkuar jashtë dhe është larguar me të. Pronari i motorit dhe dy shokët e tij e kanë ndjekur, e kanë kapur dhe më pas e kanë dhunuar.
Gjatë incidentit, një varëse që rumuni mbante në qafë është këputur dhe është sekuestruar si provë materiale nga prokuroria, së bashku me elementë të tjerë të hetimit.
Dirnstorfer, me origjinë nga Rumania dhe banues në Austri, ka deklaruar se është goditur me shkopinj bejsbolli dhe madje edhe me thikë. Ai ka një të kaluar gjyqësore dhe është i dënuar më parë, por detajet mbi këtë mbeten të paqarta.
Kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.
Flaka
















