Më mirë me një VMRO-DPMNE antishqiptare – ekzekutore, apo me një Levica deklarative – pa pushtet?
EDITORIAL
Në politikën maqedonase, shqiptarët sërish po gjenden në mes të dy ekstremiteteve: një pushteti që bën, por kundër tyre – dhe një opozite që flet, por pa peshë ekzekutive. Dilema është e qartë: a është më i rrezikshëm një partner qeverisës që çdo ditë prodhon vendime antishqiptare, apo një oponent i majtë që në retorikë e ka të njëjtin qëndrim, por nuk ka as mekanizëm, as pushtet për ta zbatuar?
Pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, liderët e VLEN-it u panë duke buzëqeshur në fotografi me eksponentë të VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM-it, duke lënë përshtypjen se janë të gatshëm të japin përkrahje në rrethet e dyta. Ky realizëm politik mund të arsyetohet me logjikën e “lokales mbi nacionalen”, por realiteti politik është më i ashpër se aq: VMRO-DPMNE dhe satelitët e saj janë në pushtet, dhe për çdo ditë po e përdorin këtë pushtet për të zhveshur shqiptarët nga çdo mekanizëm real ndikimi.
Ndërkohë, media pranë qeverisë janë në ofensivë kundër çdo zëri që guxon të artikulojë bashkëpunim të mundshëm me Levicën – partinë e majtë ekstreme, opozitare dhe deklarativisht antishqiptare. Por le të jemi të sinqertë: Levica është problem më shumë për retorikën, jo për veprimin. Ajo është një zë proteste, jo një dorë që nënshkruan vendime. Nuk ka ministra, nuk ka fonde, nuk ka ndikim institucional. Kurse VMRO dhe ZNAM – i kanë të gjitha këto. Dhe i përdorin. Kundër nesh.
Duke ndërtuar marrëdhënie “konstruktive” me VMRO-në dhe ZNAM-in, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri po legjitimojnë pikërisht strukturat që i përjashtojnë nga çdo proces vendimmarrës. Të thuash se “Levicën nuk e duam sepse është antishqiptare”, ndërkohë që ndan pushtetin me VMRO-në e Mickoskit, është hipokrizi politike e pastër. Është si të refuzosh armikun që të ofendon, por të përqafosh atë që të shkatërron.
Në fund të ditës, nuk është çështje emocionale, por e bilancit të fuqisë. Levica mund të flasë çfarë të dojë – s’ka mundësi të veprojë. VMRO, ZNAM dhe strukturat e tyre qeveritare, ndërkohë, çdo ditë e përkufizojnë se çfarë do të thotë “të jesh shqiptar në Maqedoni të Veriut”: më pak përfaqësim, më pak fonde, më pak ndikim, më shumë nënshtrim.
Kështu që pyetja është e thjeshtë: më mirë me një që flet kundër nesh, apo me një që vepron kundër nesh? Politika shqiptare duhet të mësojë të dallojë midis fjalës dhe pushtetit. Sepse, në këtë shtet, fjala s’vret – por vendimi po. Gazeta Flaka














