Aksion i policisë në Gostivar: Ndalohen gjashtë shtetase shqiptare
SPB Tetovë ka njoftuar se gjatë natës së 18/19 nëntorit 2025, në periudhën nga ora 23:00 deri në 04:00, policia ka realizuar një aksion kontrolli në objekte hotelierike në rajonin e Gostivarit, ku janë ndaluar gjashtë shtetase nga Shqipëria.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer nga punonjës policie të DPB Gostivar në disa lokale të zonës. Në një nga objektet hotelierike në rrugën “Ilinden” në Gostivar, me pronar J.A. (49) nga Gostivari, policia ka gjetur dhe ndaluar katër shtetase shqiptare:
“Në objektin në rrugën ‘Ilinden’ janë gjetur dhe ndaluar V.A. (32), L.A. (36), A.P. (36) dhe K.K. (50), të gjitha nga Shqipëria”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, kontrolli ka vazhduar edhe në një objekt hotelierik në fshatin Zubovcë të komunës së Vrapçishtit, në pronësi të R.B. (50) nga Gostivari, ku janë identifikuar edhe dy shtetase të tjera:
“Në objektin në f. Zubovcë janë gjetur dhe ndaluar E.U. (39) dhe Xh.K. (25), të dyja nga Shqipëria”, njofton SPB Tetovë.
Arsyeja e ndalimit të tyre lidhet me mospërputhje të qëllimit të hyrjes në vend me aktivitetin e zhvilluar gjatë qëndrimit.
“Gjashtë shtetaset shqiptare janë ndaluar për shkak se kanë keqpërdorur qëllimin e qëndrimit turistik, gjegjësisht kanë qëndruar në kundërshtim me qëllimin e qëndrimit”, sqaron policia.
Të gjitha të ndaluarat janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa kundër tyre do të procedohen parashtresat përkatëse.
“Ato janë ndaluar në stacion policor dhe kundër tyre do të bëhen parashtresat përkatëse”, përfundon njoftimi i SPB Tetovë.
















