Vrasje në Çarshinë e Vjetër të Shkupit: një i vdekur, një i plagosur rëndë
Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një incidenti të dhunshëm të ndodhur në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Ngjarja u konfirmua nga ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Sipas Toshkovskit, viktima është shtetas i Turqisë, ndërsa si vrasja ashtu edhe plagosja janë kryer me mjet të mprehtë – thikë. Ai bëri të ditur se ka persona të dyshuar për veprën penale, por njëri prej tyre ndodhet ende në arrati, çka po e kufizon dhënien e detajeve shtesë në këtë fazë.
“Ne kemi një person të vdekur dhe një person me lëndime të rënda trupore. Të dyja veprat janë kryer me thikë. Janë identifikuar persona të dyshuar, por hetimet janë ende në zhvillim”, deklaroi Toshkovski.
Sipas informacioneve zyrtare, në incident kanë qenë të përfshirë disa persona dhe të gjithë janë shtetas të huaj. Ministria e Punëve të Brendshme ka intensifikuar aktivitetet për kapjen e të dyshuarit që ndodhet në arrati.
Ndërkohë, gjatë natës së Vitit të Ri në Shkup janë regjistruar edhe shtatë persona të lënduar nga përdorimi i mjeteve piroteknike. Po ashtu, në të njëjtën periudhë janë evidentuar 23 aksidente trafiku, prej të cilave dy kanë rezultuar me lëndime të rënda trupore. Gazeta Flaka
















