Ahmeti nga Kërçova: BDI hyn në fazë riorganizimi dhe konsolidimi të plotë
Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot (07.02.2026) takimin e parë zyrtar me kryetarin e ri të degës së BDI-së në Kërçovë, Dr. Arlind Sejdini, në prani të aktivistëve partiakë, raporton Gazeta Flaka
Në këtë takim është konfirmuar njëzëri përkrahja e plotë e aktivit partiak për kryetarin e ri të degës, duke u theksuar uniteti dhe gatishmëria për angazhim të përbashkët në funksion të riorganizimit të strukturave lokale.
“BDI ka nevojë për organizim të fortë në terren, për përgjegjësi politike dhe për struktura që funksionojnë. Kërçova është pjesë e rëndësishme e këtij procesi,” ka deklaruar Ali Ahmeti.
Kryetari i ri i degës, Dr. Arlind Sejdini, ka theksuar se fokusi kryesor do të jetë aktivizimi real i anëtarësisë dhe funksionalizimi i nëndegëve.
“Do të punojmë për një degë aktive, të hapur dhe efikase. Brenda 30 ditëve do të mbahen kuvendet e nëndegëve dhe kuvendi i degës, me qëllim ndërtimin e një strukture solide dhe përfaqësuese,” ka thënë Sejdini.
Në kuadër të riorganizimit partiak, është njoftuar edhe procesi i organizimit të ri të nëndegëve në të gjithë territorin e Kërçovës, me synim rritjen e përfshirjes, koordinimit dhe efikasitetit në çdo lagje dhe vendbanim.
Aktivi i BDI-së në Kërçovë ka shprehur falënderim për anëtarët dhe përkrahësit, duke theksuar se angazhimi politik mbetet i orientuar drejt shërbimit ndaj qytetarëve dhe interesit publik. Gazeta Flaka

















