Aksion policor në Shkup: Dy të arrestuar, drogë dhe armë të sekuestruara
Pas aktiviteteve paraprake operative, më 4 korrik 2025, zyrtarët policorë të SPB Shkup, në bazë të urdhrave gjyqësorë për bastisje të banesave dhe hapësirave të tjera, kanë kryer kontroll te dy persona në lagjet Gjorgje Petrov dhe Volkovo të Shkupit, transmeton Flaka
Gjatë bastisjes në banesën e N.J. (26) nga Shkupi, në lagjen Gjorgje Petrov, janë gjetur dhe sekuestruar: një peshore digjitale me mbetje substance, një qese plastike me fara bime, një qese me substancë pluhur të bardhë, një kavanoz me substancë të bardhë në formë të ngurtë, një shishe e vogël me fara bime, një qese e madhe e zezë dhe një qese plastike me materie bimore. Gjithashtu janë sekuestruar edhe para: dy kartëmonedha prej 2000 denarësh, tetë prej 1000 denarësh dhe njëzet prej 500 denarësh.
Sipas MPB-së, gjatë bastisjes, babai i të dyshuarit N.J. ka dorëzuar vullnetarisht katër fishekë dhe katër fishekë gjuetie të kalibrit 12 mm.
Ndërkaq, gjatë kontrollit te D.T. (26) në Volkovo, janë sekuestruar: një kavanoz dhe një qese plastike me materie bimore, një qese me tetë fara bime, një peshore digjitale, dy “grinder”-a me materie, tre fidanë të bimëve narkotike, si dhe dy pushkë ajrore me kundojak druri dhe një kuti me fishekë për pushkë ajrore.
Në koordinim me Prokurorin Publik të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, të dy personat janë ndaluar në stacion policor për procedurë të mëtejshme. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngriten kallëzime përkatëse penale. Flaka
















