Aksion policor në Tetovë dhe Gostivar, disa persona pa patentë përfundojnë në polici
Gjatë 24 orëve të fundit, policia në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit ka intensifikuar kontrollet në trafik, duke shoqëruar disa persona për drejtim të automjeteve pa leje drejtimi.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në rrugën “Bllagoja Toska” në Tetovë, rreth orës 12:00 dhe 12:35, janë privuar nga liria dy persona, I.I. (65) nga fshati Pallaticë dhe I.J. (62) nga Tetova, të cilët drejtonin motoçikleta pa patentë shoferi.
Po ashtu, në rrugën “Iliria” në Tetovë, rreth orës 13:45, në prani të prindit është ndaluar edhe një i mitur 15-vjeçar, i cili po ashtu drejtonte motoçikletë pa leje.
Në raste të tjera, policia ka ndaluar edhe disa drejtues të tjerë në Tetovë dhe Gostivar. Në “Çarshinë e Epërme” në Tetovë është ndaluar R.I. (26) nga fshati Trebosh, i cili drejtonte automjet të tipit “Porsche”. Ndërsa në Gostivar janë ndaluar A.S. (20) nga Debreshi me automjet “Range Rover” dhe A.Sh. (52) nga Çegrani me automjet “Audi”.
Autoritetet bëjnë të ditur se ndaj të gjithë personave do të ndërmerren masa përkatëse ligjore.
Flaka
















