Alarmuese: Nëntë raste të dhunës në familje për 24 orë, gjashtë persona përfundojnë në pranga
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar nëntë raste të dhunës në familje në vend, ndërsa gjashtë persona janë privuar nga liria për shkak të sulmeve fizike, kërcënimeve dhe sjelljeve agresive ndaj anëtarëve të familjes.
Sipas MPB-së, arrestimet janë kryer në Kavadar, Kumanovë, Dibër, Shtip, Pehçevë dhe Shkup. Rastet përfshijnë sulme ndaj bashkëshortëve, partnerëve, prindërve dhe të afërmve të tjerë.
Një nga rastet më të rënda u regjistrua në rajonin e Kavadarit, ku një 37-vjeçare dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nënën e saj 57-vjeçare. Gjatë ndërhyrjes policore u konstatua se ajo ishte nën ndikimin e alkoolit, me 1.02 promilë alkool në gjak.
Ndërkohë, në Kumanovë u arrestua një 71-vjeçar për sulm ndaj bashkëshortes së tij, në Dibër u ndalua një 58-vjeçar për sjellje agresive ndaj nënës, ndërsa në Shtip dhe Pehçevë u arrestuan persona të dyshuar për sulme ndaj partnereve dhe bashkëshorteve të tyre.
Po ashtu, në Shkup u arrestua një 42-vjeçar pasi dyshohet se kishte kërcënuar xhaxhain dhe familjen e tij. Dy raste të tjera të dhunës familjare janë raportuar në Aerodrom dhe në rrugën “Magjistralja e Adriatikut”, ku policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rrethanave.
MPB bëri të ditur se për të gjitha rastet janë njoftuar prokurorët publikë dhe, pas dokumentimit të plotë të ngjarjeve, ndaj personave të përfshirë do të parashtrohen kallëzimet përkatëse.
Flaka
















