Arrestime për drogë, abuzim ndaj të miturës, aksidente të rënda dhe mashtrime
Ministria e Punëve të Brendshme ka raportuar një sërë ngjarjesh të rënda në vend për datat 7 dhe 8 korrik 2025.
Në Kumanovë, është arrestuar D.S. (38) për posedim të marihuanës. Një tjetër rast në Tabanoc ka rezultuar me kallëzim penal ndaj M.J. (47) nga fshati Zhitoshë, pasi tentoi të hyjë në vend me një letërnjoftim të falsifikuar. Po ashtu, në burgun e Gjevgjelisë, T.P. (34) u kap me marihuanë, peshore digjitale dhe telefon celular.
Në Shkup, katër persona të moshës 18 deri 34 vjeç u arrestuan për posedim të lëndëve narkotike. Një tjetër person, A.S. (35), u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit për shkak të një mase arresti aktive. Ndërkohë, A.D. (29) u ndalua për sjellje agresive ndaj një polici në të njëjtin aeroport, ku iu gjet edhe një mjet i mprehtë.
Në Gostivar, një burrë 72-vjeçar nga fshati Çegran është ndaluar pasi dyshohet për abuzim seksual ndaj një vajze 12-vjeçare në një ndërtesë banimi. Ndërkohë, në Gorno Orizari të Velesit, një i mitur me motor pa targa nuk ndaloi në sinjalizimin e policisë dhe goditi një efektiv, përpara se të përplasej me një automjet të MPB-së. Ai u identifikua dhe arrestua më vonë.
Një aksident i rëndë ndodhi në Shkup mes një makine “Mercedes” dhe një biçiklete, duke lënë të plagosur rëndë një 61-vjeçar. Në zonën e Dračevës, një burrë 45-vjeç u godit nga rryma elektrike, ndërsa në Bërzda, një zjarrfikës ra nga një katërçikël dhe pësoi lëndime të rënda.
Tre shtëpi dhe disa prona të tjera u dogjën në një zjarr në fshatin Golijevë, ndërsa në një rast tjetër në Shkup, një grua 84-vjeçare ra viktimë e një mashtrimi të sofistikuar me pretendimin se vajza e saj kishte shkaktuar një aksident. Ajo dorëzoi 261.000 denarë para se të kuptonte mashtrimin.
Në lagjen Gjorçe Petrov, një grua 27-vjeçare raportoi se ishte sulmuar fizikisht, ndërsa një burrë 44-vjeçar në një klinikë private po ashtu u qëllua me mjet të mprehtë nga dy persona pas një përplasjeje. Po në Shkup, në zonën e Aeroportit, pas një mosmarrëveshjeje në trafik, tre persona u përfshinë në përleshje fizike.
Policia gjithashtu raportoi se e gjeti një 13-vjeçar të larguar nga shtëpia në Bit Pazar, i cili ishte raportuar i zhdukur më 5 korrik.
MPB njofton se po ndërmerren të gjitha masat ligjore për dokumentimin e plotë të rasteve dhe apelon për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët. Flaka
















