Arrestohen tre persona nga Shkupi, dyshohen për vjedhje në një objekt në Veles
Tre persona nga Shkupi janë arrestuar nga policia e Velesit, pasi dyshohen se kanë kryer një vjedhje në një objekt afarist në këtë qytet.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të premten rreth orës 12:30, nëpunësit policorë të SPB Veles kanë privuar nga liria S.S. (32), M.H. (22) dhe B.J. (19), të gjithë banorë të Shkupit.
Ngjarja u denoncua nga një grua 39-vjeçare nga Velesi, e cila raportoi se kishte parë dy persona duke dalë nga objekti ku ajo punonte me një sasi të madhe mallrash. Kur u përpoq t’i ndiqte, të dyshuarit u larguan me shpejtësi, hipën në një automjet të tipit “Golf” me targa të Shkupit dhe u larguan nga vendi i ngjarjes. Më pas, ajo konstatoi se nga objekti mungonin disa sende.
Pas ndërmarrjes së masave të menjëhershme, policia ndaloi automjetin e dyshuar, i cili drejtohej nga S.S., ndërsa si pasagjerë ndodheshin M.H. dhe B.J. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën sendet e vjedhura, të cilat iu kthyen pronarit.
Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori publik. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse.
Flaka
















