BDI: Dy vite nënshtrim – VLEN Ништо !
Nënkryetarja dhe zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ka vlerësuar se dy vjet pas formimit të Qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, në koalicion me VLEN dhe ZNAM, shumica e premtimeve të dhëna para zgjedhjeve nuk janë realizuar, raporton Gazeta Flaka
Në një konferencë për media me rastin e dyvjetorit të qeverisjes, Bilalli Zendeli deklaroi se qytetarët sot shtrojnë tri pyetje themelore.
“Ku janë premtimet? Ku janë rezultatet? Ku është ndryshimi? Përgjigjja është e qartë dhe e shkurtë: askund.”
Ajo tha se bilanci i qeverisë nuk është listë suksesesh, por listë premtimesh të pambajtura.
“Premtuan Kushtetutë të re. Nuk hapën as debat. Premtuan ndryshimet kushtetuese për tre muaj, për gjashtë muaj. Pas më shumë se 24 muajsh nuk ka asgjë.”
Sipas saj, nuk janë realizuar as premtimet për barazinë e gjuhës shqipe, përfaqësimin e drejtë, Bankën Shqiptare, aksionet deri në 10 mijë euro për qytetarët, Ministrinë e Diasporës, Akademinë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, spitalet rajonale, si dhe projektet infrastrukturore, raporton Flaka.
“Premtuan autostrada, hekurudha, Port të Thatë, zona ekonomike dhe zhvillim. Asnjë projekt madhor nuk ka hyrë në realizim.”
Bilalli Zendeli tha se shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje për premtimet e parealizuara.
“Ku është Kushtetuta e re? Ku janë ndryshimet kushtetuese? Ku është barazia e gjuhës shqipe? Ku është Banka Shqiptare? Ku janë spitalet? Ku është Ministria e Diasporës? Ku është Akademia Shqiptare? Ku është Erasmusi shqiptar? Ku janë autostradat, hekurudhat dhe investimet?”
Në përfundim, ajo deklaroi se, sipas BDI-së, rezultati i dy viteve të qeverisjes është “asgjë”.
“Prandaj, emri që sot e përshkruan më mirë këtë grupim është ai që qytetarët tashmë ua kanë vënë: ‘НИШТО’. Sepse pas dy vitesh në pushtet, rezultati i tyre është pikërisht: asgjë.”
Zëdhënësja e BDI-së shtoi se shqiptarët meritojnë “politikë serioze, përgjegjësi dhe rezultate, jo propagandë dhe marketing elektoral”, duke theksuar se “koha e mashtrimeve ka përfunduar, ndërsa koha e llogaridhënies ka filluar”. Gazeta Flaka
















