Dy raste në kufi brenda pak orësh: Arrestim në Tabanoc dhe ndalohet kalimi ilegal në Bogorodicë
Policia maqedonase ka regjistruar dy raste të ndryshme në pikat kufitare të vendit gjatë natës mes 29 dhe 30 gushtit.
Në pikën kufitare të Tabanocit, më 29 gusht rreth orës 23:20, gjatë daljes nga vendi, policia ka arrestuar shtetasin serb D.P. (34).
Ndërkohë, vetëm pak orë më vonë, më 30 gusht rreth orës 00:40, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje dhe Kontroll Kufitar në Bogorodicë kanë parandaluar një tentativë për kalim ilegal të kufirit shtetëror.
Gjatë aksionit është privuar nga liria M.A. (42) nga Shqipëria, për të cilin ekziston dyshimi se ishte udhërrëfyes i një grupi prej 10 shtetasish turq, të moshës nga 15 deri në 61 vjeç, të cilët dyshohet se kishin për qëllim të kalonin ilegalisht kufirin shtetëror.
Rastet janë duke u proceduar nga institucionet kompetente.
Në një tjetër njoftim, Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe kufizimet e shpejtësisë, duke paralajmëruar se drejtimi i pakujdesshëm dhe shpejtësia e lartë rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Shpejtësia nuk është asnjëherë më e rëndësishme se jeta e njeriut”, thuhet në apelin e MPB-së.













