Dy të rinj sulmohen nga një grup prej rreth 20 personash në Tetovë
Dy të rinj nga Tetova kanë raportuar në polici se janë sulmuar fizikisht nga një grup prej rreth 20 personash në afërsi të urës së lumit Shkumbin, ndërsa sipas denoncimit paraprak, incidenti është shoqëruar edhe me provokime në baza nacionale.
Sipas njoftimit të Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë, më 14 maj 2026 rreth orës 23:50, 18-vjeçari me iniciale M.M. ka raportuar se rreth orës 23:00, derisa po ecte bashkë me shokun e tij L.F. përgjatë rrugës “Lenin” në Tetovë, pranë urës së lumit Shkumbin, janë përballur me një grup të rinjsh që po vizatonin grafite.
Sipas kallëzimit, njëri nga personat e grupit u është drejtuar me fjalë provokuese në baza nacionale, ndërsa më pas grupi i ka rrethuar dy të rinjtë. Në ato momente, një person i maskuar dyshohet se ka sulmuar fizikisht M.M., ndërsa një person tjetër ka sulmuar edhe shokun e tij.
Nga SPB-Tetovë bëjnë të ditur se denoncuesi ka arritur të identifikojë njërin nga personat e përfshirë në grup, me inicialet L.Xh. nga Tetova, ndërsa policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Flaka
















