Gazsjellësi drejt Greqisë ka filluar të ndërtohet

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Qershor, 2025 16:21

Gazsjellësi drejt Greqisë ka filluar të ndërtohet

Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se ka filluar ndërtimi i gazsjellësit për në Greqi, një projekt kyç që kishte ngecur për shtatë vite dhe nuk ishte lëvizur nga vendi.

“Më në fund, si Qeveri gjetëm një projekt që për shtatë vite nuk kishte përparuar. Kur u bë vlerësimi, huadhënësit vendosën ta ndërpresin për shkak se qeveria paraprake kishte krijuar specifikime që nuk përmbushnin kriteret e tyre. Ne e vendosëm këtë projekt në rrugën e shpejtë, korrigjuam dokumentacionin me udhëheqësinë e re të ‘Noma Gas’, përfunduam tenderin, nënshkruam marrëveshje me kompani dhe ndërtimi ka nisur,” tha Mickoski.

Ai shprehu shpresën se shumë shpejt do të vizitojnë vendin ku po zhvillohen punimet dhe do të festojnë këtë arritje të rëndësishme për vendin.

Kryeministri theksoi se gazsjellësi është dykahësh, në kontrast me tubacionin njëkahësh nga Bullgaria drejt Maqedonisë Veriore, duke shtuar se së shpejti pritet të nisë edhe ndërtimi i interkonjektorit verior me Serbinë.

“Ky projekt do ta vendosë shtetin tonë në hartën strategjike të tranzitit të gazit nga jugut drejt Evropës Qendrore, përmes terminalit të Aleksandropolisë dhe vendeve të tjera eksportuese si Azerbajxhani dhe Katari. Kjo është një nga synimet e mia personale që do ta realizoj gjatë mandatit të këtij katërvjeçari,” përfundoi Mickoski.

Flaka
Botuar nga Flaka 10 Qershor, 2025 16:21
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media