Gjendet e pajetë një studente 20-vjeçare nga Turqia në një banesë në Shtip
Një ngjarje tragjike ka tronditur sot Shtip, ku një studente e re nga Turqia është gjetur pa shenja jete në një banesë me qira në rrugën “Vasil Glavinov”.
Sipas informacioneve paraprake, alarmi është ngritur pasi kolegët e saj kishin tentuar për disa ditë me radhë të kontaktonin me të, por pa sukses. Pas mungesës së komunikimit, ata kanë njoftuar institucionet kompetente.
Në vendngjarje kanë intervenuar ekipet e SPB Shtip, Ndihma e Shpejtë Mjekësore dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit, të cilët kanë kryer kontrollin dhe këqyrjen e banesës.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
“Sot (07.05.2026) në ora 14:48 në SPB Shtip është denoncuar se në një banesë në Shtip është gjetur një person i gjinisë femërore e pajetë. Zyrtarët policorë kanë dalë në vendngjarje dhe është konstatuar se bëhet fjalë për U.E.(20), shtetase e Republikës së Turqisë. Ekspertizën po e kryen ekipi i SPB Shtip dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë shkaqet e sakta të vdekjes pas përfundimit të hetimeve.
Flaka
















