Incident në Likovë: Shkelësit e ligjit hidhen nga automjeti dhe e lënë të lëvizë drejt policëve
Një rast i pazakontë është regjistruar në fshatin Likovë të Komunës së Likovës, ku disa persona janë përpjekur të shmangin kontrollin policor duke ndërmarrë veprime të rrezikshme ndaj zyrtarëve të rendit, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 11 korrik 2025, rreth orës 12:40, kur zyrtarë të Departamentit për Çështje Kufitare dhe Migracion ishin në patrullë me motor.
“Gjatë patrullimit, në fshatin Likovë, është vërejtur një automjet transportues ‘Iveco’ i ngarkuar me dru zjarri pa vulë identifikuese. Pasi iu dha shenjë për ndalim, shoferi nuk iu bind urdhrit dhe u largua me shpejtësi. Më pas, ai dhe pasagjeri i tij kanë kërcyer nga automjeti dhe e kanë lënë të lëvizë pa kontroll drejt nëpunësve policorë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Automjeti ka devijuar nga rruga dhe është ndalur, ndërsa personat janë arratisur nga vendngjarja. Drutë dhe automjeti janë sekuestruar nga autoritetet, ndërsa janë ndërmarrë masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.
Ngjarja ngre shqetësime për rrezikimin e sigurisë publike dhe përpjekjet për të shmangur organet e rendit, sidomos në zonat ku kontrolli për prerjen dhe tregtimin e paligjshëm të druve është intensifikuar.
















