Kasami: Nuk jemi prej atyre që shiten për mbijetesë politike – Fjalimet e liderëve të VLEN-it
Kryetari i Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, deklaroi sot se VLEN synon jo vetëm pjesëmarrje në zgjedhjet e tetorit, por fitore të plotë ndaj një sistemi të vjetër që, sipas tij, për 20 vite ka keqpërdorur shtetin dhe ka ndarë qytetarët në të privilegjuar dhe të harruar.
“VLEN nuk është projekt për pjesëmarrje, por është forcë për fitore,” u shpreh Kasami. Ai shtoi se koalicioni që përfaqëson nuk do të bëjë kompromis për mbijetesë politike, por do të luftojë për ndryshim të vërtetë.
Fetai: VLEN, projekt kombëtar
Zëvendëskryeministri Arben Fetai deklaroi sot se qeveria e re synon të sjellë një mënyrë të re të të bërit politikë, të bazuar në ndershmëri, përkushtim dhe shërbim ndaj qytetarëve. Në një deklaratë për mediat, Fetai u shpreh se “kapitulli i ri nuk shkruhet me premtime boshe, por me punë të ndershme dhe dashuri për popullin që ka duruar shumë dhe ka pritur gjatë”.
Ai theksoi se pushteti nuk duhet parë si mjet pasurimi, por si mundësi për të shërbyer interesit publik.
“Sot jemi këtu për të nisur një kapitull të ri, një kapitull që nuk shkruhet me premtime boshe, por me punë të ndershme, përkushtim, dashuri për këtë popull, që ka duruar shumë dhe ka pritur gjatë. Jemi këtu sepse besojmë se politika mund të bëhet ndryshe. Se pushteti nuk është për tu pasuruar por për të shërbyer. Besojmë se shqiptarët meritojnë më shumë. Emri ynë VLEN, nuk është vetëm emër koalicioni. VLEN është projekt kombëtar mbi të gjitha”, deklaroi Fetai.
Ibrahimi: Jemi më të bashkuar se kurrë
Me themelimin e Shtabit të Përgjithshëm Politik të VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi deklaroi se ky akt shënon hapjen e një kapitulli të ri.
“Ky takim shtë edhe një dëshmi se VLEN-i nuk është vetëm se bashkim partish, por është një bashkim vlerash, është bashkim i njerëzve që e duan vendin e tyre dhe që besojnë se shqiptarët meritojnë një përfaqësim më dinjitoz. Ne sot jemi këtu që të pohojmë se VLEN-i sot është më i fortë se dje. Plani i atyre të listave të zeza tashmë ka dështuar. U përpoqën të na ndajnë, u përpoqën të na përçajnë, u përpoqën të na sabotojnë por ja ku jemi, akoma më të bashkuar, akoma më të vendosur dhe akoma më të përgatitur që ta bëjmë edhe betejën e radhës”, deklaroi mes tjerash Ibrahimi në fjalën e tij.
Mexhiti: Nuk u përçam, u bashkuam!
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cili në fjalën e tij theksoi unitetin dhe misionin e koalicionit për t’u përballur me sfidat politike dhe për të përfaqësuar denjësisht interesat e qytetarëve shqiptarë.
“Sot nuk është fillimi, ky është vazhdimi i fitores së një viti më parë. Është vazhdimi i çlirimit nga politika e së kaluarës,” – deklaroi Mexhiti.
Ai theksoi se qytetarët shqiptarë nuk janë të zhgënjyer nga politika në vetvete, por nga mungesa e saj e vërtetë.“Shqiptarët janë lodhur jo nga politika, por nga mospolitika. Janë lodhur nga intrigat dhe keqpërdorimi. Nuk kanë kërkuar shumë – vetëm dinjitet, barazi dhe të drejtën për të mos u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre,” – shtoi ai.
Azizi paralajmëron fushatë të fuqishme
Kryesuesi i Shtabit Qendror të VLEN, Adnan Azizi, tha se përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet lokale do të bazohet në kritere profesionale dhe input nga qytetarët.
“Kandidatët nuk do të vijnë nga pazaret e natës, por nga hulumtime, sondazhe dhe figura me kredibilitet”, theksoi ai. Azizi shtoi se përmes departamenteve të specializuara, fushata do të ndërtohet mbi baza profesionale, me fokus në nevojat reale të qytetarëve dhe me përfshirje të shoqërisë civile. Flaka Media