Mexhiti në Nju Jork me Wesley Clark dhe Glauk Konjufcën: Miqësia shqiptaro-amerikane e vulosur nga historia

Izet Mexhiti, ka ndarë pamje nga një mbrëmje në Nju Jork, ku ka marrë pjesë së bashku me gjeneralin amerikan në pension Wesley Clark dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një aktivitet të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane.
Në një postim në rrjetet sociale, Mexhiti e ka vënë theksin te marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe roli që, sipas tij, ka luajtur historia në forcimin e kësaj miqësie.
“Disa miqësi i ndërton diplomacia. Disa të tjera i vulos historia. E miqësia e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara i ka të dyja.”
Duke iu referuar gjeneralit Wesley Clark, Mexhiti tha se emri i tij lidhet me një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së re të shqiptarëve.
“Për ne shqiptarët, emri i gjeneralit Clark lidhet me një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë të re, kur miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara morën një kuptim historik.”
Mexhiti shprehu gjithashtu mirënjohje për Clarkun dhe për rolin e SHBA-së gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Ishte kënaqësi ta takonim dhe t’i shprehnim nga afër respektin për kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur shqiptarët kishin më së shumti nevojë për miq dhe aleatë të fuqishëm.”
Ai theksoi se, edhe më shumë se dy dekada pas atyre zhvillimeve, mirënjohja ndaj gjeneralit amerikan mbetet e pranishme.











