MPB ngre kallëzim penal ndaj dy zyrtareve për keqpërdorim dhe falsifikim
Sektori për Punë të Brendshme në Manastir ka ngritur kallëzim penal kundër A.P. (68) nga Manastiri, për shkak të dyshimeve për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, dhe kundër M.D. (60) nga Resnja, për veprën penale “keqpërdorim i të dhënave personale”.
Sipas njoftimit nga MPB:
- E para e kallëzuar, A.P., në cilësinë e drejtoreshës së Institucionit Shëndetësor Publik – Spitali i specializuar në Otoshevë, gjatë viteve 2022 dhe 2023 ka lidhur tre kontrata me honorar me një person nga Resnja. Prej tyre, vetëm dy janë firmosur prej saj, ndërsa kontrata e tretë është firmosur nga një person i tretë, për angazhim ndërtimor në spital, megjithatë, personi përkatës asnjëherë nuk ka qenë fizikisht apo profesionalisht i angazhuar në institucion.
- A.P. gjithashtu, duke shfrytëzuar tokenin zyrtar, ka miratuar dhe firmosur urdhra për pagesë nga llogaria rrjedhëse e institucionit, duke shkaktuar dëm ndaj Ministrisë së Shëndetësisë në shumën prej 145.904 denarësh.
- E dyta e kallëzuar, M.D., në cilësinë e juristes dhe këshilltares për burime njerëzore, ka përpiluar tri kontratat me honorar pa pëlqimin e personit në fjalë, duke përdorur të dhënat e tij personale dhe numrin e llogarisë bankare. Përmes pagesave për shërbime të pa realizuara në mënyrë reale, është dëmtuar buxheti i spitalit në të njëjtën shumë prej 145.904 denarësh.
Rasti është në duart e prokurorisë, ndërsa hetimet për zbulimin e të gjitha përgjegjësive eventuale janë në vijim. Flaka
















