Në çdo tragjedi, lind nga një hero! 19 vjeçari që shpëtoi 21 jetë në tragjedinë e Koçanit!
Sot, me emocion të thellë dhe krenari të pafund, ndaj me ju lajmin se më në fund është rikthyer në shtëpi Jovan Kostadinov, i riu trim që shpëtoi 21 jetë në tragjedinë e zjarrit të Koçanit, shprehet ministri i shëndetësisë Arben Taravari, duke dhënë lajmin që i riu është në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ka raste kur fjalët nuk mjaftojnë dhe kjo është një prej tyre. Si të përshkruhet një shpirt kaq trim dhe vetëmohues, që në momente paniku dhe rreziku nuk mendonte për veten, por vetëm për të tjerët? Jovani, i cili është vetëm 19 vjeç, veproi si një hero i vërtetë. Ai hyri përsëri dhe përsëri, jo një herë, jo dy, por më shumë se 20 herë, për të ndihmuar të bllokuarit në flakë. Ai rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar të tjerët. Trupi i tij mban plagët e heroizmit të tij, por zemra e tij mbart diçka shumë më të madhe: respektin, admirimin dhe dashurinë e një kombi të tërë”, shton Taravari.
Jovani, shprehet ai, nuk është vetëm një hero i Koçanit. Ai është një hero i gjithë vendit tonë. Një simbol i asaj që do të thotë të vendosësh njerëzimin mbi frikën.
“Një kujtesë për të gjithë ne se sa shumë mund të bëjë një person me zemër të madhe. Mirë se erdhe në shtëpi, Jovan. Historia juaj do të jetojë përgjithmonë, në jetët që keni shpëtuar, në familjet që janë ribashkuar dhe në zemrat e çdo qytetari që tani e njeh emrin tënd. Në emër të të gjithë qytetarëve një gjë do ta them me zë të lartë dhe qartë: Nuk do të harrojmë kurrë”, përfundon Taravari.
Jovan Kostadinov, 19-vjeçari nga Vinica, i cili në zjarrin që kaploi diskotekën në Koçan shpëtoi 21 persona, sot në mëngjes është pritur nga shokët dhe shoqet e gjimnazit të Vinicës me duartrokitje dhe me pankarta mirënjohjeje për sakrificën dhe guximin e tij.
Jovani, duke hyrë e dalë nga zjarri për të shpëtuar sa më shumë njerëz e rrezikoi jetën pa pikë egoizmi, pa patur frikë nga flakët. Plagët në trupin e Jovanit flasin për heroizmin e jashtëzakonshëm që duhet të jetë shembull për të gjithë ne.
Ai ishte i shtruar në Klinikën e Toksikologjisë për shkak të thithjes së tepërt të monoksidit të karbonit dhe për një javë ka marrë ndihmë mjekësore. Fatmirësisht ka dalë nga spitali në gjendje më të mirë shëndetësore.
Zjarri që shpërtheu në klubin e natës “Pulse”, në Koçan të Maqedonisë së Veriut, mëngjesin e 16 marsit, i mori jetën 59 persona dhe la të lënduar mbi 150 të tjerë. Zjarri shpërtheu gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës, duke u përhapur me shpejtësi pas ndezjes së mjeteve piroteknike. Autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë lidhur me ngjarjen e rëndë.
I riu nga shokët e klasës në gjimnazin “Vanço Prqe” në Vinicë u prit me pankarta mirënjohjeje për sakrificën dhe guximin e tij, si dhe me duartrokitje. Flaka Media