Pamje tronditëse nga aksidenti në rrugën e Plastikave, motoristi në gjendje të rëndë
Përplasje e rëndë trafiku është regjistruar mbrëmjen e sotme në rrugën e Plastikave në Shkup, ku një veturë dhe një motoçikletë janë përplasur me forcë, duke lënë të plagosur rëndë drejtuesin e motorit.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:40, ndërsa sipas informacioneve të para, menjëherë pas ngjarjes në vend kanë mbërritur ekipet e Ndihmës së Shpejtë, të cilat kanë transportuar të lënduarin drejt Spitalit të Qytetit për trajtim urgjent mjekësor. Deri tani nuk ka informacione zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.
Policia ka dalë në terren dhe ka bllokuar pjesërisht segmentin rrugor, ndërsa ekipet hetimore kanë nisur inspektimin për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë për forcën e madhe të përplasjes. Në asfalt janë parë pjesë të shpërndara të motoçikletës dhe veturës, gjurmë të gjata frenimi dhe dëmtime të konsiderueshme në të dy mjetet. Motoçikleta shihet pothuajse tërësisht e shkatërruar, ndërsa pjesa e përparme e automjetit ka pësuar dëmtime serioze.
Dhjetëra kalimtarë janë mbledhur në vendngjarje, të tronditur nga skenat që panë pas aksidentit.
Ngjarja rikthen sërish në fokus shqetësimet për sigurinë në komunikacion në Shkup, veçanërisht pas tragjedisë së fundit në qarkoren e qytetit, ku vetëm pak ditë më parë humbën jetën katër persona, duke nxitur reagime të shumta për gjendjen e sigurisë rrugore në vend.
Autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje gjatë orëve në vijim.
Burimi: Alsat.mk
















