“Philo Sophia Loren” – Libri i ri i Dücane Cündioğlu në shqip sfidon perceptimet mbi rolin e gruas
Këtyre ditëve të verës, shtëpia botuese prishtinase Sira publikoi veprën e dytë të përkthyer në shqip nga Ali Pajaziti, të filozofit dhe mendimtarit poliedrik turk, Dücane Cündioğlu. Pas librit “Motto” (2019), vepra e re mban një titull emblematik: “Philo Sophia Loren” dhe tashmë gjendet në libraritë tona.
Libri vendos në qendër të diskutimit feminizmin dhe çështjen e grarisë, duke trajtuar problemet e gruas bashkëkohore në kontekstin e shekullarizimit dhe modernizimit. Autori thekson se aftësia për të lindur dhe mëmësia janë thelbësore për identitetin e gruas dhe nuk mund të zëvendësohen.
Ai sugjeron se roli i gruas është i lidhur ngushtë me natyrën e saj biologjike, ndërsa konstaton se:
“Sot, për disa gra tona, kuptimi i lirisë është i barabartë me të qenit më pak grua, më pak nënë, më pak bashkëshorte.”
Leximi i kësaj vepre e përball lexuesin me shumë segmente të të jetuarit si femër e grua, në një kohë kur, ndonëse ka çarë përpara, ajo ende ballafaqohet me pyetje nëse është në drejtimin e duhur, sidomos duke pasur parasysh komodifikimin e saj nga kultura masive konsumeriste.
Tekstet shumëngjyrëshe të autorit shtrihen nga Milena e Kafkës deri te femra që s’di të bëjë reçel e laknor, duke kombinuar referenca kulturore, filozofike e shoqërore. Flaka Media














