Pollog: Arrestime për armë, sulm seksual, dhunë në familje, vjedhje dhe humbje personi
Më 29 maj 2025, Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë dhe në Gostivar ka ndërmarrë disa aksione policore, ku janë arrestuar persona të dyshuar për një sërë veprash penale, përfshirë përdorim armësh, dhunë në familje, sulm seksual, vjedhje dhe sjellje të dhunshme ndaj policisë.
Dy të mitur nga Gajre u arrestuan si të dyshuar për të shtënë me armë automatike drejt një shtëpie në Tetovë më 26 maj. Në një rast tjetër në Gostivar, një burrë 53-vjeçar u arrestua pas denoncimit të bashkëshortes jashtëmartesore për dhunë fizike dhe sulm seksual.
Në Tetovë, një 19-vjeçar nga Reçica e Madhe u arrestua për sjellje agresive ndaj policisë, ndërsa një tjetër nga i njëjti fshat, 26-vjeçar, u ndalua pas kallëzimit për ngacmim dhe kërcënime nga një vajzë 21-vjeçare. Po ashtu, një 68-vjeçar nga Kosova u kap me sende të vjedhura.
Një rast tjetër u regjistrua në trafik, ku një person nga Shkupi denoncoi se ishte sulmuar fizikisht nga një drejtues “Porsche”-i pas një konflikti rrugor në Tetovë.
Në Njësinë Policore Rostushë, një 75-vjeçar rezulton i humbur pranë kishës “Shën Kirili dhe Metodi” në Bitushë, ku bashkëshortja e tij raportoi se humbi kontaktin me të gjatë ecjes në shtegun pyjor.
Po ashtu, u krye një kontroll rrugor në zonën e Tetovës dhe Gostivarit, ku u sanksionuan 39 shoferë për parkim të paligjshëm dhe 44 për kundërvajtje të tjera.
Policia vazhdon hetimet dhe procedurat për dokumentimin e plotë të rasteve. Flaka
















