Pritje në Çair për lirimin e Artan Grubit nga paraburgimi shtëpiak | VIDEO
Para shtëpisë së Artan Grubit në Çair të Shkupit është organizuar pritje për lirimin e tij nga masa e paraburgimit shtëpiak. Pamjet tregojnë se si po shënohet ky moment nga të pranishmit, njofton Flaka.
Sot, Gjykata Themelore Penale në Shkup ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Artan Grubit për kthimin e dokumentit të udhëtimit kundrejt garancisë, ndërsa ish-zëvendëskryeministri do të mbetet nën masa kujdesi edhe pas përfundimit të arrestit shtëpiak.
Vendimi i Këshillit Penal është marrë pas mendimit negativ të Prokurorisë Publike kompetente. Si rrjedhojë, mbetet në fuqi masa e marrjes së përkohshme të dokumentit të udhëtimit, si dhe ndalimi i lëshimit të një dokumenti të ri për kalimin e kufirit shtetëror.
Ndërkohë, më 13 tetor, gjykata ka hequr masën e arrestit shtëpiak ndaj Grubit, pasi ka skaduar afati ligjor prej 60 ditësh.
Në vend të kësaj mase, ndaj tij vazhdojnë të zbatohen masa të tjera kujdesi, përfshirë ndalimin e largimit nga vendbanimi, detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në gjykatë dhe ndalimin e kontaktit me persona të caktuar.
Artan Grubi është i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”, ku ngarkohet për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Ai është deklaruar i pafajshëm në procedurën gjyqësore. Gazeta Flaka













