Prokuroria nis hetim ndaj 51-vjeçarit për vrasjen e bashkëshortes në Shkup, kërkohet paraburgim
Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka nisur procedurë hetimore ndaj një 51-vjeçari, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij gjatë ushtrimit të dhunës në familje. Njëkohësisht, Prokuroria ka kërkuar nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.
Sipas njoftimit zyrtar, ekziston dyshim i bazuar se më 25 qershor, në afërsi të fshatit Letevci, i dyshuari e ka marrë bashkëshorten nga vendi i saj i punës dhe e ka dërguar në një zonë të izoluar, ku dyshohet se e ka sulmuar fizikisht dhe më pas e ka mbytur, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pas krimit, sipas hetimeve, ai e ka fshehur trupin e viktimës nën degë dhe bimësi, ndërsa ditën e nesërme e ka raportuar në polici si person të zhdukur.
Prokuroria bën të ditur se më 27 qershor, i dyshuari u kishte thënë tre personave se e dinte vendndodhjen e gruas, duke pretenduar se ajo i ishte shfaqur në ëndërr dhe i kishte treguar vendin ku ndodhej. Pas kontrollit në terren, trupi i pajetë u gjet dhe rasti iu referua organeve hetimore.
Prokurori publik vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale. Për këtë arsye, është dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Flaka
















