Reagimet ndaj Shasivarit vazhdojnë – “Drejtësia nuk duhet ta harrojë viktimën dhe të vërtetën”

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Shtator, 2026 21:46

Reagimet ndaj Shasivarit vazhdojnë – “Drejtësia nuk duhet ta harrojë viktimën dhe të vërtetën”

Reagimet ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, po shtohen. Pas reagimeve të mëparshme politike dhe publike, ndaj qëndrimeve të tij kanë reaguar edhe Flora Hajdari Musliu, Lejla Emrulai dhe Imrane Veliu Aliu nga radhët e BDI-së.

Flora Hajdari Musliu ka reaguar ashpër, duke e cilësuar si “turp” një deklaratë të tillë nga një shqiptar.

“Është turp të dëgjosh se si një shqiptar del me një deklaratë të tillë, e cila të kujton deklaratat e ministrave të drejtësisë së Serbisë!”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka theksuar se luftëtarët e UÇK-së, sipas saj, “nuk luftuan për interesa personale apo politike, por për lirinë dhe dinjitetin” e Kosovës.

“Të respektosh drejtësinë nuk do të thotë të harrosh historinë, sakrificën dhe gjakun e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, ka deklaruar Musliu.

Sipas saj, është e papranueshme që një qëndrim i një shqiptari të tingëllojë “më shumë si deklaratë e Beogradit” sesa si qëndrim i dikujt që e njeh peshën e luftës për çlirimin e Kosovës.

“Mund të flisni për ligjin, drejtësinë dhe institucionet, por mos e harroni kurrë se pa ata që luftuan, sot nuk do të kishit shtetin dhe institucionet për të cilat flisni. Turp!”, ka përfunduar ajo.

Ndërkohë, Lejla Emrulai ka bërë të ditur se është bllokuar nga Shasivari në profilin e tij, pas një komenti që ajo thotë se kishte bërë ndaj deklaratave të ministrit.

“Ministri Jeton Shasivari më paska bërë bllok në profilin e tij, pas komentit tim shumë real dhe pa ofendime, i cili nisi të marrë shumë pëlqime nga lexuesit!”, ka shkruar Emrulai.

Ajo ka publikuar edhe përmbajtjen e komentit të saj, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Shasivarit.

“Ju zotëri Shasivari mund të fshini komentet e të na bllokoni, por atë që kam shkruar do të mbetet historikisht e pa ndryshuar”, ka deklaruar Emrulai.

Në komentin e saj, ajo e ka akuzuar Shasivarin se nuk është në pozitë për t’i dhënë “sugjerime” Kosovës, duke e lidhur këtë me mënyrën se si, sipas saj, ai ka marrë postin e ministrit.

Reagim me theks juridik ka bërë edhe Imrane Veliu Aliu. Ajo ka nisur reagimin me shprehjen latine “Homo homini lupus est” – “Njeriu është ujk për njeriun”, duke e cilësuar ndërhyrjen e saj si një vërejtje “jo politike, por juridike dhe akademike”.

Veliu Aliu ka thënë se është e drejtë që gjykatat të vendosin mbi bazën e provave dhe ligjit, që të respektohen vendimet gjyqësore dhe të mbrohen të drejtat e të akuzuarve dhe viktimave.

“Por drejtësia nuk fillon dhe nuk mbaron më 16 shtator dhe ajo ka edhe një memorie”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, nuk mund të flitet për viktimat vetëm si kategori juridike, duke harruar kontekstin historik.

“De jure, çdo i akuzuar gëzon të drejtën për një proces të drejtë dhe prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar. Por de facto, një shtet demokratik ka edhe detyrimin moral e institucional të mos relativizojë krimet, të mos barazojë viktimën me agresorin dhe të mos lejojë që drejtësia të shkëputet nga e vërteta historike”, ka deklaruar Veliu Aliu.

Ajo ka kritikuar qasjen që, sipas saj, redukton qëndrimin ndaj çështjeve të luftës vetëm në respektimin formal të vendimeve gjyqësore.

“Po, gjykata duhet respektuar, por duhet respektuar edhe viktima dhe e vërteta. Duhet respektuar historia”, ka shkruar ajo.

Në përfundim, Veliu Aliu ka thënë se drejtësia nuk duhet të shndërrohet në “neutralitet moral ndaj së keqes”.

“Drejtësia nuk është vetëm respektimi mekanik i një vendimi, por guximi për të mos e humbur të vërtetën ndërsa flasim për ligjin”, ka përfunduar ajo.

Reagimet e reja i bashkohen një vale kritikash ndaj ministrit Shasivari, duke e bërë këtë një nga debatet më të ashpra publike të ditëve të fundit rreth qëndrimeve mbi luftën e Kosovës, drejtësinë dhe raportin mes së vërtetës historike dhe proceseve gjyqësore. Gazeta Flaka

128

A besoni në pafajësinë e krerëve të UÇK-së dhe a besoni se ata do të shpallen të pafajshëm?

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Shtator, 2026 21:46
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
128

A besoni në pafajësinë e krerëve të UÇK-së dhe a besoni se ata do të shpallen të pafajshëm?

  • DritonZenku
    Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut