Serbia kalon një natë të tensionuar me incidente dhe dhunë

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Gusht, 2025 09:42 Përditësuar

Serbia kalon një natë të tensionuar me incidente dhe dhunë

Në Beograd dhe Novi Sad, të enjten mbrëma, përsëri janë shënuar incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe, të cilat u thirrën nga studentët që prej muajsh po bllokojnë institucionet e arsimit të lartë.

Televizioni N1 raportoi se pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd janë hedhur mjete piroteknike ndaj qytetarëve.

Më herët, njësitë e xhandarmërisë serbe kishin shtyrë demonstruesit më afër ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, për t’i ndarë nga përkrahësit e pushtetit të mbledhur aty pranë.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, një grup burrash me shkopinj ishin mbledhur më herët në afërsi të Shtabit të Përgjithshëm. Opozita nga Fronti e Gjelbër–Majtë publikoi në rrjete sociale një video, duke pretenduar se këta persona ishin mbështetës të pushtetit.

Në Novi Sad, një grup i vogël demonstruesish të maskuar shkaktuan dëme në zyrat e Partisë Progresive Serbe (SNS), sipas gazetarëve të REL-it. Në zyre nuk kishte anëtarë të partisë dhe nuk kishte as polici me uniformë. Sipas N1, protestuesit nxorën nga aty karrige dhe kuti për vezë.

Në protestën në Nish ka pasur disa incidente të vogla, kur demonstruesit kanë goditur policinë me vezë, raporton televizioni N1.

Në Kralevë, qytetarët kanë mbërritur deri te zyrat e SNS-it dhe policia ka bllokuar rrugën ku ndodhen zyrat e kësaj partie dhe selia e policisë, njofton N1.

Policia ka bllokuar hyrjen në zyrat e SNS-it edhe në Leskoc.

Një ditë më parë, gjatë protestave në dhjetëra qytete të Serbisë, ishin shënuar disa incidente dhe përleshje mes protestuesve kundërqeveritarë dhe përkrahësve të pushtetit.

Përfaqësuesit e pushtetit, në krye presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i akuzuan protestuesit për nxitje të trazirave.

Prej muajsh, para Parlamentit në Beograd, mbështetës të pushtetit kanë ngritur tenda dhe bllokojnë një nga rrugët më të frekuentuara të qytetit, duke u vetëquajtur “studentë që duan të mësojnë”. Sipas tyre, kjo është përgjigjja ndaj protestave masive kundër Qeverisë në të gjithë Serbinë.

Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad./REL

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Gusht, 2025 09:42 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.