Shkup: Identifikohen dy të mitura pas dhunës brutale ndaj 12-vjeçares në Aerodrom
Policia në Shkup ka identifikuar dy të mitura të dyshuara për përfshirje në një rast të dhunës së rëndë ndaj një bashkëmoshatareje në komunën e Aerodromit.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas zbardhjes së plotë të rastit, pritet që të ngrihen kallëzime penale jo vetëm ndaj të miturave të dyshuara, por edhe ndaj prindërve të tyre.
Ngjarja është denoncuar dje rreth orës 19:30 në SPB Shkup nga një 31-vjeçare, e cila ka raportuar se vajza e saj 12-vjeçare është sulmuar një natë më parë rreth orës 22:00 në një park në komunën e Aerodromit.
Sipas denoncimit, një 14-vjeçare së bashku me një shoqe tjetër e kanë detyruar viktimën të ulej në gjunjë dhe t’u kërkonte falje, ndërsa më pas ajo është sulmuar fizikisht kur ka tentuar të largohej. Ngjarja është filmuar me telefona celularë nga disa të mitur të pranishëm, një prej të cilëve ishte i njohur për viktimën.
Autoritetet kanë zhvilluar biseda zyrtare me të miturat në prani të prindërve dhe kanë njoftuar prokurorin publik për të mitur si dhe Qendrën për Punë Sociale. Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në incident, përfshirë edhe ata që kanë filmuar rastin.
Pas përfundimit të procedurave, priten kallëzime penale për veprat “Dhunë” dhe “Neglizhim dhe keqtrajtim i të miturit”.
Flaka
















