Shkup: Zbardhen tre vepra penale dhe arrestohen tre dhunues
Njësia për krime të dhunshme pranë SPB-së Shkup, gjatë një dite, ka zbardhur tre vepra penale dhe ka privuar nga liria tre persona nga Shkupi.
Më 17.08.2025, në konsultim me prokurorin publik, Njësia për krime të dhunshme ka ngritur aktpadi penal me procedurë të shpejtë kundër E.V. (28) për veprën penale „vrasje në tentativë gjatë kryerjes së dhunës në familje“. E.V. është paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili i ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë. Ngjarja kishte ndodhur më 15.08.2025 rreth orës 14:00 në Shkup, në zonën e Gjorçë Petrovit, ku E.V. kishte sulmuar gjyshen 87-vjeçare të bashkëshortit të saj në shtëpinë e tyre.
Po të njëjtën ditë, Njësia për krime të dhunshme ka ngritur aktpadi penal me procedurë të shpejtë kundër P.A. (36) nga Shkupi për veprën penale „dëmtime trupore“ sipas nenit 130, paragrafi 2 të Kodit Penal, pasi më 15.08.2025 rreth orës 16:00 kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, N.A., në shtëpinë e tyre. Pas ndërmarrjes së masave nga policia, P.A. është privuar nga liria dhe është paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili i ka caktuar masën e kujdesit.
Gjithashtu, Njësia për krime të dhunshme ka zbardhur rastin e përleshjes fizike më 16.08.2025 rreth orës 19:00 në rrugën „Slavej Planina“ në Shkup, ku morën pjesë disa persona dhe u përdorën sende të forta dhe të mprehta. Dy persona pësuan lëndime të rënda trupore, ndërsa disa të tjerë pësuan lëndime të lehta. Pas raportimit të ngjarjes, Njësia për krime të dhunshme ka ndërmarrë masa të gjera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes. Më 17.08.2025 është dorëzuar aktpadi penal me procedurë të shpejtë pranë Prokurorisë Publike Shkup kundër S.D. për veprën penale „vrasje në tentativë“ sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal, kundër A.A. dhe S.D. për veprën penale „dëmtime trupore të rënda“ sipas nenit 131 të Kodit Penal, dhe kundër shtatë personave të tjerë për veprën penale „pjesëmarrje në përleshje“ sipas nenit 132 të Kodit Penal.
Personat e përfshirë u paraqitën para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili i ka caktuar S.D.-së masën e paraburgimit shtëpiak për 30 ditë, ndërsa shtatë personave të tjerë u është caktuar masa e kujdesit: të mos largohen nga qyteti dhe të paraqiten çdo të hënë në gjykatë. Flaka Media
















