Shqiptarët të tretët më të përfaqësuarit në burgjet italiane – Mes tyre edhe 23 gra
Ministria Italiane e Drejtësisë ka publikuar raportin më të fundit mbi situatën në burgjet e vendit, duke nxjerrë në pah shifra shqetësuese për të burgosurit e huaj. Sipas të dhënave zyrtare, 1922 shqiptarë vuajnë dënimin në burgjet italiane, mes tyre 23 gra, duke e renditur Shqipërinë të tretën për nga numri i të burgosurve të huaj, pas Marokut dhe Tunizisë.
Rajonet me përqendrimin më të lartë të të burgosurve shqiptarë janë Lombardia, Toskana, Lazio dhe Emilia Romagna. Ndërkohë, 88 kosovarë, të gjithë meshkuj, janë të burgosur në Itali deri më 31 korrik 2025.
Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, ka ngritur alarmin për mbipopullimin e sistemit penitenciar, me mbi 60 mijë të burgosur, nga të cilët 20 mijë janë të huaj, duke tejkaluar kapacitetin me 10 mijë vende. Ai ka propozuar që gjysma e të huajve të vuajnë dënimin në vendin e origjinës, si pjesë e reformës së sistemit.
Një tjetër problematikë është numri i lartë i vartësve të drogës, që kap shifrën 25 mijë, si dhe vetëvrasjet në burgje, ku vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025 janë regjistruar 22 raste, 11 prej tyre të huaj. Në vitin 2024, 88 vetëvrasje janë dokumentuar, ndërsa 16 vdekje të tjera janë në hetim.
Flaka
















