Tetovë: 38-vjeçari sulmon fizikisht një nxënës dhe e kanos me armë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Tetovës mbrëmjen e së hënës. Një 38-vjeçar nga Tetova dyshohet se ka kapur një nxënës në hyrje të një shkolle fillore, e ka futur në një supermarket të afërt, e ka sulmuar fizikisht dhe më pas e ka kanosur me armë zjarri, përcjell Flaka.
Ngjarja ka ndodhur më 26 maj 2025, ndërsa rastin në polici e ka denoncuar babai i të miturit, S.B. (44), gjithashtu nga Tetova. Menjëherë pas denoncimit, policia ka ndërhyrë dhe ka arrestuar të dyshuarin, N.T. (38), i cili aktualisht po mbahet në stacionin policor të Tetovës.
“Sipas kallëzimit të mëparshëm nga S.B. (44) nga Tetova, në hyrje të shkollës fillore është kapur djali i tij i mitur nga personi N.T., i cili më pas e ka futur në supermarketin e afërt, e ka sulmuar fizikisht dhe e ka kanosur me armë. N.T. po mbahet në stacionin e policisë dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të përgatitet parashtresë përkatëse”, thuhet në raportin zyrtar të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim. Flaka Media










