Tetovë: Këshilltarja Belinda Amiti: Interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi përkatësinë partiake
Këshilltarja komunale nga ASH-AKI, Belinda Amiti, ka kritikuar shumicën në këshillin komunal për mënyrën se si, sipas saj, trajtohen iniciativat e paraqitura nga opozita, duke theksuar se vendimmarrja duhet të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve.
“Para se të marrim vendime, duhet të kujtojmë pse jemi këtu: qytetarët na kanë zgjedhur për të mbrojtur interesin e tyre”, deklaroi Amiti.
Ajo u ndal konkretisht te një iniciativë lidhur me infrastrukturën rrugore, për të cilën tha se është kërkuar zgjidhje për katër javë, por në fund është votuar kundër nga shumica.
“Kur një këshilltar i opozitës paraqet një iniciativë në të mirë të qytetarëve, ajo nuk duhet të refuzohet vetëm pse vjen nga opozita. Rasti i infrastrukturës rrugore është një shembull konkret: pas katër javësh kërkesa dhe përpjekje për zgjidhjen e problemit, shumica e votoi kundër”, tha ajo.
Sipas Amitit, opozita ka mbështetur propozimet që i konsideron në interes të qytetarëve, pavarësisht se nga cila forcë politike janë paraqitur.
“Ne, si opozitë, çdo propozim që është në interes të qytetarëve e kemi mbështetur, pavarësisht se nga kush ka ardhur”, theksoi këshilltarja.
Në fund, Amiti apeloi që në vendimmarrjen e këshillit komunal të mos dominojnë interesat partiake.
“Prandaj, kriteri duhet të jetë vetëm interesi i qytetarëve, jo përkatësia partiake”, përfundoi ajo. Gazeta Flaka












