Tragjedi në rrugën Shkup-Bllacë: Gjenden të vdekur tre shtetas të Kosovës, ishin raportuar të zhdukur
Tre shtetas të Kosovës, të cilët ishin raportuar të zhdukur nga familjarët, janë gjetur të pajetë në një veturë të përmbysur në rrugën nga pika kufitare Bllacë drejt Shkupit.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se rasti është raportuar më 19 korrik 2026, rreth orës 22:35, kur në rrugën Shkup–Bllacë është gjetur e përmbysur një veturë e tipit Mercedes me targa gjermane.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet policore, të cilat kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona pa shenja jete – një mashkull dhe dy femra. Vdekjen e tyre e ka konfirmuar ekipi i Ndihmës së Shpejtë.
Sipas MPB-së, më herët gjatë ditës, në orën 13:40, në Stacionin Policor Bit Pazar ishte paraqitur një shtetas i Kosovës, i cili kishte raportuar zhdukjen e tre personave. Ai kishte deklaruar se kontakti i fundit me ta ishte më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ata ndodheshin në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.
Ndërkohë, sipas informacioneve të publikuara nga familjarët, viktimat janë identifikuar si Ejup Ternava, Cennet Ternava dhe Fatmire Shabani, të gjithë shtetas të Kosovës.
Ata ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit drejt Kosovës me një veturë Mercedes GLC me ngjyrë blu dhe targa MR-DT 2025, ndërsa kontakti me familjarët ishte ndërprerë pak pasi kishin lënë aeroportin. Dyshohet se aksidenti ka ndodhur në rrugën drejt pikës kufitare Bllacë, përpara se të kalonin kufirin me Kosovën.
Autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Flaka
















