Tragjedi në St. Gallen – fëmija shqiptar nuk i mbijeton përplasjes
Një aksident tragjik ka tronditur qytetin e St. Gallen-it në Zvicër, ku një fëmijë 4-vjeçar me origjinë nga Kosova dhe pasaportë austriake, i identifikuar si Dardan, humbi jetën pas një përplasjeje me një furgon Mercedes.
Ngjarja ndodhi të hënën, më 11 gusht 2025, pak para orës 19:00, në rrugën Stahlstrasse, në zonën Feldbachstrasse, ku kufiri i shpejtësisë është 30 km/orë. Sipas raportimeve nga Polizeiticker dhe 20 Minuten, një 44-vjeçar gjerman, duke drejtuar automjetin e tij, përplasi fëmijën në një zonë banimi.
Policia dhe kalimtarët i dhanë ndihmën e parë menjëherë, ndërsa ambulanca e transportoi Dardanin në Spitalin e Fëmijëve, ku, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë dy orë më vonë.
Dëshmitarët përshkruajnë skena dramatike: Një banore tha: “Dëgjova britma për ndihmë. Kur dola jashtë, pashë djalin e plagosur rëndë, ndërsa e ëma bërtiste me dëshpërim.” Një tjetër banor, Xhevdet V., tregoi: “Babai e mbante në krahë. E shtriva përtokë, i vendosa bluzën time nën kokë dhe filluam menjëherë reanimacionin.” Blendi V., 22 vjeç, konfirmoi se shoferi reagoi menjëherë duke telefonuar shërbimet emergjente dhe duke ofruar ndihmë.
Policia e St. Gallen ka nisur hetimet dhe ka bërë thirrje për dëshmitarë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Komuniteti lokal është tronditur thellë dhe ka kërkesa për rishikimin e sigurisë rrugore në zonë.
Flaka
















